Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?

Pasi Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive vendosi që procedura për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të zhvillohet sipas modelit të shumicës së dyfishtë të thjeshtë, i njohur si “Badenteri i vogël”, në opinion kanë lindur dilema nëse ky ligj duhet të miratohet me ‘Badenter të vogël’ apo ‘Badenter të madh’. Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se në këtë rast duhet të përdoret ‘Badenteri i madh’ pasi përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen. Opozita vazhdon kritikat se ligji është i cekët dhe paralajmëroi bllokadë, ndërsa për pushtetin ligji është historik, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht kërkesave të opozitës që ky propozim-ligj të kalojë me mekanizmin e ‘Badenterit të madh’, kjo nuk u pranua. Me 11 vota për dhe 2 kundër u vendos që ligji të miratohet me ‘Badenter të vogël’.

Pak ditë më vonë, ky propozim-ligj kaloi në lexim të parë në Kuvendin e RMV-së.

Gjatë debatit opozita dhe pozita hodhën akuza ndaj njëra tjetrës dhe dhanë interpretime të ndryshme rreth dispozitave ligjore.

Ndërkaq Ligji tani është gati për lexim të dytë para deputetëve.

Çfarë është Badenteri?

Badenteri (parimi i Badinterit) është mekanizëm kushtetues në Maqedoninë e Veriut që garanton të drejtat e bashkësive etnike joshumicë. Për të kaluar ligje me rëndësi të veçantë (kultura, gjuha, përdorimi i simboleve, etj.), përveç shumicës së përgjithshme, kërkohet edhe shumica e votave të deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

Badenteri u krijua pas konfliktit të vitit 2001 dhe u inkorporua në Marrëveshjen e Ohrit, ky sistem ka për qëllim të parandalojë dominimin e një etnie të vetme (majorizimin) në vendimmarrjen politike për çështje që prekin drejtpërdrejt identitetin dhe të drejtat e pakicave.

Çka është Badenteri i Madh?

‘Badenteri i madh’ i njohur edhe si ‘Badenter absoulut’ nënkupton shumicën e numrit të përgjithshëm të deputetëve të komuniteteve shumicë në Kuvend, pavarësisht se sa janë të pranishëm në seancë.

Çka është Badenteri i Vogël?

Badenteri i vogël nënkupton shumicën e numrit të deputetëve të pranishëm në sallë nga komunitetet joshumicë që marrin pjesë në votim.

Çfarë thotë Marrëveshja e Ohrit?

Përfaqësimi i drejtë dhe përdorimi i Badenterit rregullohen me pikën 4 dhe 5 të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Me cilin Badenter duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?

Për atë se me cilën formë të Badenterit duhet apo nuk duhet të miratohet ky ligj, biseduam me profesorin universitar, Bashkim Selmanin.

Ai thotë se duke pasur parasysh se ligji trajton një të drejtë të dalë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, është e arsyeshme që të kërkohet jo vetëm legjitimitet numerik, por edhe legjitimitet ndërkomunitar.

“Për çështje që prekin identitetin, barazinë dhe përfaqësimin e komuniteteve, nuk mjafton vetëm shumica e votave. Nevojitet edhe shumica e besimit. Pikërisht këtë e garanton parimi i Badenterit, qoftë si mekanizëm juridik, qoftë si kulturë demokratike e konsensusit”, thotë Selmani.

Ai sqaron se nëse ligji rregullon përfaqësimin e komuniteteve, atëherë legjitimiteti nuk duhet të matet vetëm me numrin e votave të shumicës parlamentare, por me pëlqimin real të komuniteteve që preken nga ky ligj.

“Nëse përfaqësimi i drejtë është e drejtë kolektive e garantuar nga Marrëveshja e Ohrit, atëherë nuk mjafton vetëm të sigurohen votat për ta kaluar ligjin. Duhet të sigurohet besimi i komuniteteve për të cilat miratohet ai. Ky është dallimi midis Badenterit të vogël dhe Badenterit të madh. Ligjet që prekin të drejtat kolektive nuk duhet të jenë fitore e një shumice të përkohshme politike, por marrëveshje e qëndrueshme mes komuniteteve”, tha Selmani.

Profesori thotë se përfaqësimi i drejtë nuk mund të vendoset pa pëlqimin e atyre të përfaqësohen.

“Prandaj një ligj për përfaqësim të drejtë duhet të kalojë me Badenter. Respektimi i Badenterit është garanci kushtetuese që asnjë komunitet nuk do të mbetet i përjashtuar nga vendimmarrja për çështje që i prekin drejtpërdrejt. Kalimi i një ligji të tillë vetëm me shumicë të thjeshtë mund të krijojë perceprimin se një komunitet vendos për të drejtat e një komuniteti tjetër”, tha Selmani.

Opozita shqiptare ka paralajmëruar bllokadë

Kritikat kryesore të opozitës shqiptare për këtë ligj janë se i njëjti nuk parashikon kuota dhe mekanizma të qarta kontrolli mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe nuk parasheh masa sanksionuese. Për më tepër, ata vazhdimisht kanë theksuar se ky ligj mund të ketë pasoja dhe ta cenojë një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së vendit.

Nga BDI-ja opozitare kanë bërë të ditur se skenari për bllokimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është ‘Badenteri i madh’ kundër ‘Badenterit të vogël’. Sipas informatave nga partia, në plan është dorëzimi i amandamenteve gjatë debatit për ligjin, ndërsa si opsion i fundit nuk përjashtohen edhe protestat. Ata thonë se do ta bllokojnë miratimin e ligjit me të gjithë mekanizmat demokratikë.

BDI-ja thotë se ligji nuk përmban kuota etnike për punësimin e administratorëve dhe nuk parashikon sanksione për institucionet që nuk do ta respektojnë ligjin.

Për pozitën ligji është historik

Përfaqësuesit e pushtetit vlerësojnë se ligji forcon barazinë ndërmjet komuniteteve dhe konfirmon karakterin multietnik të shtetit, duke theksuar se për herë të parë kjo çështje rregullohet me ligj dhe jo vetëm përmes mekanizmave teknikë si balancuesi.

Nga VLEN nuk na u përgjigjën nëse do t’i pranojnë propozimet e opozitës për këtë ligj.

Kryeministri: Së pari miratimi, pastaj do rregullohen sanksionet

Kryeministri Hristijan Mickoski, së fundmi në Alsat, tha se sanksionet për moszbatimin e ligjit dhe kuotat e përfaqësimit nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në ligj, por do të rregullohen me akte nënligjore dhe metodologji që do të hartohen pas miratimit të tij.

Ai theksoi se kjo është një praktikë e njohur ligjore dhe se ka shumë shembuj të ngjashëm. Sipas tij, ligji do të hyjë në fuqi dhe do të jetë funksional menjëherë pas miratimit, ndërsa detajet për zbatimin dhe politikën ndëshkuese do të përcaktohen më vonë.

Mickoski shtoi se metodologjia do të bazohet në dy kritere kryesore, përkatësinë etnike dhe cilësinë, në përputhje me vlerat e garantuara me Kushtetutë.

“Ka shumë shembuj ku sanksionet nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në vetë ligjin, përfshirë edhe shumë ligje të tjera, madje edhe ligjin e mëparshëm, për të cilin qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së dha një qëndrim të qartë se e kishte tejkaluar kohën e vet në një seancë qeveritare dhe se kjo qasje duhet të ndryshohet. Natyrisht, politika ndëshkuese që do të lidhet me këtë ligj do të përcaktohet me akte ligjore. Ekziston një afat i qartë kohor kur kjo politikë ndëshkuese duhet të harmonizohet. Kështu që qytetarët të jenë të qetë, ky ligj menjëherë pas miratimit do të jetë zyrtar dhe funksional, ndërsa në periudhën që vjen, me akte nënligjore do t’i përcaktojmë edhe ato pjesë për të cilat po flisni tani,” tha Mickoski.

Para miratimit përfundimtar të ligjit, pritet të ketë edhe debat publik.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Ky është propozim-ligji i plotë.

Cilat janë dallimet midis Balancuesit dhe ligjit të ri?

Ndryshe nga “Balancuesi”, i cili ishte mjet teknik që kontrollonte automatikisht strukturën etnike gjatë çdo punësimi të ri, projektligji për përfaqësim të drejtë është akt juridik që e rregullon në mënyrë sistematike këtë çështje.

Balancuesi mbështetej ekskluzivisht në të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe “balanconte” automatikisht përfaqësimin, ndërsa ligji i ri mbështetet po ashtu në të dhënat e regjistrimit, por lejon edhe fleksibilitet sipas nevojave reale të institucioneve.

Pse erdhi deri te ky ligj?

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.