Pendarovski: Të hidhet dritë mbi rastin M-NAV, bëhet fjalë për kërcënim potencial të sigurisë në trafikun ajror

Mbështetje për përpjekjet e Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror për ruajtjen e nivelit profesional në funksionimin e M-NAV SHA – Shkup, e cila është pjesë e infrastrukturës kritike në vend, dha sot kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, transmeton Portalb.mk.

“Presidenti Pendarovski rikonfirmoi qëndrimin se interesi i askujt personal apo politik nuk mund të jetë mbi rendin juridik dhe funksionimin normal të institucioneve”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Pendarovskit pas takimit.

Në takimin e Aleksandar Tasevskit, kryetar i Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe Goran Gavrovski, anëtar i Bordit të Sindikatës, Pendarovski dënoi sjelljen e dhunshme në M-NAV.

“Presidenti Pendarovski edhe një herë e dënoi sjelljen e dhunshme në M-NAV nga ana e punonjësve të atij institucioni dhe personave të tjerë të cilët pa autorizim kanë hyrë në ambientet e tyre dhe kërkoi që ngjarjet të zbardhen në kohën më të shkurtër të mundshme, duke pasur parasysh se është kërcënim potencial për sigurinë në trafikun ajror ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Presidenti Stevo Pendarovski në profilin e tij në Facebook ka njoftuar për takimin me përfaqësues të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Qeveria sot duhet të mbajë një mbledhje, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të marrë vendime për gjendjen në M-NAV, duke përfshirë shkarkimin e gjithë menaxhmentit dhe revizion të punës së deritanishme.

Kjo vjen pasi javën e kaluar tetë persona, mes të cilëve Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i degës së BDI-së, hynë në zyrat e Navigacionit Maqedonas.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror. Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale, por nuk iu shqiptua masa e paraburgimit.