Kufiri i përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, u ratifikua marrëveshja në Kuvendin e RMV-së

Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për marrëveshjen kufitare ndërmjet këtyre dy shteteve. Kjo marrëveshje mundëson një pikë kufitare, transmeton Portalb.mk.

“Vendimi për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për pikëkalimet e përbashkëta kufitare “Bllacë-Hani i Elezit” dhe “Jazhincë-Glloboçicë””, njoftoi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në seancën e 135-të, Kuvendi ratifikoi edhe marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut.

Ndryshe, Ministri për Punë të Brendshme në Republikën e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar më 18 shtator ka nënshkruar marrëveshjen që mundëson Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kenë pikë të përbashkët kufitare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 4 korrik të këtij viti, në kuadër të seancës së 164-të e miratoi tekstin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që mundëson krijimin e pikës së përbashkët kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve.

Raportohet që me këtë nismë, do të ketë pikë të përbashkët kufitare ndërmjet Jazhincës dhe Glloboçicës, dhe në pikën tjetër kufitare mes Bllacës dhe Hanit të Elezit.

Më 17 shtator të vitit 2022 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizren, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, ka siguruar dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në takimin me Ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në gusht të vitit 2022 kishte paralajmëruar që deri në fund të vitit 2022 do të zhvillohet mbledhja e dytë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky takim nuk u realizua.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 31 korrik të këtij viti ka filluar zbatimin e pikës së përbashkët kufitare në pikën kufitare Qafthanë me Republikën e Shqipërisë. Me të duhet të mundësohet fluks më i shpejtë i qytetarëve nga të dy vendet, si dhe kompanive që transportojnë produkte në këtë pikë kufitare.