Dënime simbolike për gabimet gjatë punësimit të ish drejtorëve të M-NAV që kulminuan me dhunë në hapësirat e tyre

Ish-drejtorin e kanë pranuar në vend pune joedekuat për një periudhë joligjore dhe tejet të shpejtë për punësim, nuk i kanë punësuar ata që i kanë kaluar testet, Inspektorati i punës ka konstatuar shtatë gabime të drejtorëve të MNAV-së, të cilët u shkarkuan pas ndërhyrjes së dhunshme të grupit të Bekim Nezirit, raporton Portalb.mk.

Shumë punësime dhe shumë gabime në shpalljet dhe procedurat për punësim për vendin më të dëshiruar dhe më të paguar në një institucion shtetëror – atë në kontrollin e fluturimeve. Lëshimet u zbuluan nga Inspektorati Shtetëror i Punës gjatë inspektimeve të tyre pas ndërhyrjes së dhunshme të grupit të Bekim Nezirit në kullën e fluturimeve.

Ka pasur 4 shpallje, ndërsa në dy prej tyre, të cilat shkaktuan pakënaqësi sindikale, janë gjetur 7 lëshime. Inspektorati i punës ka konstatuar se drejtorët e shkarkuar kanë “përgatitur” një konkurs të veçantë në muajin dhjetor për një kontabilist, të cilin në MNAV e kanë sjellë ish-kolegun e tyre dhe tani ish-drejtor ekonomik Milaim Selmani. Shpallja ka zgjatur një fundjavë, ndërsa atë e kanë pranuar edhe në vendin e gabuar të punës.

“Afati i shpalljes për kandidatin për vendin e  punës Këshilltar i Pavarur – Kontabilist me regjistrim në sistemin elektronik në APRMV-së është tre ditë, pavarësisht se punëdhënësi ka deklaruar një afat prej dhjetë ditësh, me çka shpallja e publikuar në APRMV vjen në kundërshtim me kohëzgjatjen e shpalljes së publikuar nga punëdhënësi. Deri në ditën e mbikëqyrjes nga punëdhënësi dhe APRMV-ja nuk është bërë korrigjim për vendin e punës për të cilin kandidati është regjistruar në formularin M1/M2, i cili dallon nga vendi i punës për të cilin kandidati ka lidhur kontratë pune me punëdhënësin”, njoftojnë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

Pastaj në Agjencinë e Punësimit kanë dërguar një kërkesë urgjente për ta korrigjuar gabimin, por nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Ish-drejtori Selmani ka filluar t’i bëjë llogaritë e MNAV-së më 29 dhjetor, në të njëjtën ditë kur kolegët e tij drejtorë e kanë regjistruar punësimin, edhe pse një mënyrë e tillë regjistrimi është në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.

Përveç kësaj gabime janë bërë edhe gjatë shpalljes për punësimin e 11 personave, pas çka sindikata paralajmëroi se do të hidhet në grevë për shkak të partizimit të kontrollit të fluturimeve. Kandidatëve të refuzuar nuk u është dhënë një shans i dytë, nuk janë njoftuar se është ndërprerë konkursi, ndërsa MNAV nuk ka pasur as dëshmi për intervistat e kryera në fazën e dytë të procesit të punësimit.

MNAV e ka shkelur ligjin edhe duke i specifikuar kushtet e punësimit për disa vende të caktuara të punës që nuk janë në përputhje me sistematizimin, me çka është hapur rruga për punësim kryesisht të familjarëve të zyrtarëve të BDI-së.

Për shkelje të tilla, drejtorët Fahrudin Hamidi dhe Ljube Stamenkovski, të cilët u shkarkuan pas hyrjes së dhunshme, si dhe drejtori aktual ekonomik Hasim Deari, u dënuan me dënime simbolike, ndërsa drejtorët e rinj do duhet t’i korrigjojnë gabimet dhe të anulojnë një pjesë të shpalljes për pranimin e studentëve inxhinierë dhe studentëve teknikë.

“Për parregullsitë e konstatuara do të shqiptohet gjobë në vlerë prej 600 eurosh për personin juridik dhe 400 euro për personat përgjegjës fizik”, njoftuan nga Inspektorati Shtetëror i Punës, edhe pse pagat e drejtorëve sillen nga 3.500 deri në 5.000 euro.

Pas Agjencisë së Aviaciot Civil, Inspektorati i Punës është institucioni i dytë që konstatoi një sërë lëshimesh në punën e udhëheqësisë tashmë të shkarkuar të MNAV-it, e cila lejoi të bëhet edhe një ndërhyrje e dhunshme në kontrollin e fluturimeve.

Prokuroria ende po zhvillon hetimet për 8 personat e grupit të Bekim Nezirit që e shkaktuan incidentin në kullën e fluturimeve, të dyshuar për një krim të rëndë për të cilin dënimi minimal është 5 vjet burg.

Për parregullsitë alarmoi sindikata, ndërsa inspektorati i punës e ka kontrolluar edhe atë dhe nuk ka konstatuar lëshime në punën e sindikatës, përveç paralajmërimit ende aktiv për fillimin e grevës.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe personat tjerë të përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’. Më 26 janar u vendos që Bekim Neziri të jetë në liri, por pa pasaportë. Ndërkohë tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) kishin hyrë në M-NAV për mbikëqyrje inspektuese, proces i cili kishte mbaruar më 2 shkurt.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.