Mjekët e RMV-së së bashku me ato izraelitë kanë kryer 16 ndërhyrje kirurgjikale te viktimat e zjarrit në “Pulse”
Ekipet mjekësore nga Qendra izraelite Sheba dhe institucionet e kujdesit shëndetësor vendas deri më tani kanë kryer 16 ndërhyrje kirurgjikale dhe 24 ekzaminime specialistike mbi viktimat e zjarrit në diskotekën Pulse në Koçani, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, raporton SP, përcjell Portalb.mk.
Ai theksoi në konferencën e sotme për shtyp se trajtimi i të lënduarve vazhdon pas përfundimit të trajtimit spitalor, përmes ndërhyrjeve kirurgjikale shtesë dhe rehabilitimit.
Operacionet kirurgjikale ishin kryesisht të drejtuara në duar dhe krahë, me qëllim përmirësimin dhe rikthimin e funksionit të tyre. Procedurat mjekësore përfshinin heqjen dhe korrigjimin e shenjave, lehtësimin e kontrakturave, Z-plastikën dhe transplantet e lëkurës me trashësi të plotë.
“Kujdesi për të lënduarit në Koçani nuk mbaroi me trajtimin spitalor. Ai vazhdon me operacione, kontrolle dhe rehabilitim”, tha Klekovski, duke falënderuar mjekët izraelitë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre me ekipet mjekësore maqedonase.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.