Inspektorati i punës sot e ka kryer mbikëqyrjen në M-NAV, u konfirmuan parregullsi, deklaroi drejtoresha Tomovska

Mbikëqyrja inspektuese dhe raportet për rastin M-NAV përfundojnë sot, deklaroi për MIA-n drejtoresha e Inspektoratit shtetëror për punë (ISHP), Vesna Tomovska. Ajo theksoi se inspektorët kanë parregullsi të konfirmuara, por për çfarë parregullsish bëhet fjalë dhe informata më të hollësishme rreth mbikëqyrjes së tre inspektorëve, të cilët dy javë kanë punuar në këtë rast, do të japë nga java e ardhshme, me qëllim që të kompletohen raportet deri nga fundi i ditës.

Tomovska potencoi se inspektorët kanë marrë edhe katër parashtresa nga kandidatët për punësim në shpalljet në M-NAV, të cilët hollësisht janë shqyrtuar nga ana e inspektorëve.

Mbikëqyrja është kryer edhe në Agjencinë për punësim, ndërsa është zgjeruar edhe mbikëqyrja rreth punës së sindikatës.

“Kolegët çdo ditë kanë punuar deri ora 20. Mbikëqyrja përfundon sot”, thotë Tomovska në deklaratë për MIA-n.

Mbikëqyrja nga ana e inspektorëve të punës në M-NAV është zgjeruar dhe i shqyrtuan katër shpalljet e fundit për punësim dhe nëse sindikata ka pasur paralajmërime për grevë në pajtim me ligjin. Inspektorët e Inspektoratit shtetëror për punë dhe Policia financiare në M-NAV kanë hyrë pas ngjarjeve në këtë institucion.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe personat tjerë të përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’. Më 26 janar u vendos që Bekim Neziri të jetë në liri, por pa pasaportë. Ndërkohë tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre emëroi Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.