U arrestuan të gjithë tetë personat e dyshuar për sulm në M-NAV

Prokuroria Themelore Publike pasdite ka njoftuar që janë arrestuar tetë personat e dyshuar në lidhje me sulmin që ka ndodhur në hapësirat e Kontrollit të Fluturimeve në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me lëndën për rastin në M-NAV, e informojmë publikun se deri më tani janë arrestuar të gjithë tetë personat e përfshirë në Urdhrin për zbatimin e procedurave hetimore për veprën penale – Rrezikim i trafikut ajror”, njoftojnë Prokuroria Themelore Publike në Shkup.

Prokuroria sqaroi që edhe për tre personat është propozuar paraburgim, për dy paraprakisht gjykatësi kishte përcaktuar paraburgim shtëpiak, ndërsa për të tretin akoma pritet vendimi i gjykatësit.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe personat tjerë të përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’. Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.