M-NAV me udhëheqësi të re, Milan Koraq, kryetar i Bordit drejtues

Operatori kombëtar i navigacionit ajror M-NAV ka marrë zyrtarisht udhëheqësinë e re pas incidentit të 4 janarit të këtij viti me ndërhyrje në objekt dhe sulm ndaj punonjësve. Milan Koraq është kryetar i ri i Bordit Drejtues dhe drejtor ekzekutiv në Departamentin e Teknologjisë së Aviacionit, ndërsa Hekuran Asani është anëtar i ri i bordit drejtues dhe drejtor ekzekutiv në Departamentin e Navigimit të Aviacionit. Emrat e tyre tashmë janë futur në faqen e M-NAV, nga ku konfirmojnë se dje kanë përfunduar të gjitha procedurat, transmeton Portalb.mk.

Pas incidentit, duke vepruar sipas udhëzimeve të Qeverisë, Bordi Mbikëqyrës i M-NAV ka shkarkuar nga detyra Kryetarin e Bordit Drejtues Fahrudin Hamidi dhe Drejtorin Ekzekutiv Sektorial. Qeveria më pas dha udhëzime që kryetar i ri i Bordit Drejtues të jetë Hekuran Asani dhe Milan Koraq drejtor sektori.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe personat tjerë të përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’. Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV zyrtarizoi shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.