Vardari humbi në 1/8 e finales, ndërsa Federata e kualifikoi me rezultat zyrtar

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) e ka kualifikuar Vardarin me rezultat zyrtar në çerekfinale, pasi paraprakisht ishte eliminuar nga Tikveshi. Komisioni për gara e pranoi ankesën e Vardarit, transmeton Portalb.mk.

“PRANOHET ankesa e KF Vardarit për aktivizimin e parregullt të futbollistit Okere Ebube Wisdom për KF Tikvesh, në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27, KF Vardar – KF Tikvesh”, deklaroi Federata.

Me vendim të Federatës, Vardari fitoi me rezultat zyrtar 3:0 dhe do të vazhdojë garat në çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut.

“KF Tikvesh nga Kavadari, në përputhje me nenin 41, paragrafi 2, pika 2, dënohet me gjobë automatike prej 1.000 eurosh, në kundërvlerë në denarë sipas kursit në ditën e pagesës”, raportoi Federata.

Ndryshe, në fund të muajit tetor, shtatë ekipe kishin siguruar kualifikim në çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut, mes tyre edhe Tikveshi e cila e kishte fituar Vardarin me rezultat 3:1. Më 25 nëntor do të luhet ndeshja e fundit e 1/8 së finales ndërmjet AP Brerës dhe Arsimit.

Pas shumë vitesh, ekipet shqiptare nuk arritën të marrin asnjë trofe brenda një sezoni futbolli, pasi kampion i Ligës së Parë në sezonin 2025/2026 u shpall Vardari, ndërsa Sileksi e fitoi Kupën e Maqedonisë së Veriut.