U rrit numri i viktimave në Turqi, u arrestua autori i të shtënave

Autori i sulmeve të armatosura që u regjistruan këtë të enjte në provincën Afyonkarahisar të Turqisë, është vënë në pranga. Mësohet se ai u arrestua në Eskisehir. Gjithashtu bëhet me dije se bilanci i viktimave është rritur në 8 pasi edhe i plagosuri ka ndërruar jetë, raporton Euronews.

Prefektura e Eskisehirit njoftoi se i dyshuari u identifikua dhe u arrestua, pas një operacioni të përbashkët nga xhandarmëria dhe policia.

Autoritetet u mobilizuan pas një telefonate të bërë në qendrën e urgjencës 112. Tre persona u gjetën të vdekur në zonën e fshatit Agiazini dhe tre të tjerë pranë fshatit Kigir.

Dy gra u gjetën të plagosura në fshatin Yukaritandir, të cilat ndërruan jetë në spital nga plagët e marra. Prefektura e Afyon Karahisar njoftoi se shërbimet kompetente po bashkëpunojnë për të sqaruar rastin.

Pas vrasjeve, i dyshuari fillimisht u arratis duke rrëmbyer një makinë në rrugën që lidhte lagjen Seytigazi me lagjen Ciftelier, në provincën Eskisehir.