Vazhdojnë protestat studentore për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, u paralajmërua protestë për në Tiranë e Prishtinë
Nismëtarët e lëvizjes studentore për realizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, kanë paralajmëruar protesta studentore edhe në Tiranë e Prishtinë, për të vazhduar pastaj përsëri në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Më 26 Maj mblidhemi në Tiranë, pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si “të paedukatë” që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë”, deklaroi studenti Mevlan Ademi.
Protesta me moton “Shqiptaria është me Shkupin” në Tiranë do të fillojë prej orës 17:00 nga sheshi “Skënderbeu”, për të mbaruar para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Shkup.
“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, deklaroi Ademi.
Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo është hera e dytë që studentët protestuan, pas këtyre protestave, pushtetarët e VLEN-it filluan të premtojnë zgjidhje, por pa caktuar afate.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
- LEXO: Ademi i reagoi Mickoskit dhe Fillkovit, atyre u pengon mungesa e flamurit shtetëror dhe paralajmërojnë dërgimin e ligjit në Komisionin e Venedikut
- LEXO: Shkelën Ligjin për flamujt, himnin dhe Kushtetutën, tha Mickoski për protestën e studentëve shqiptarë
- LEXO: Përplasje mes VLEN-it dhe BDI-së rreth trajtimit të studentëve dhe çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe
- LEXO: Ndalesa, vonesa dhe tre të arrestuar, studentët protestuan në Shkup: Çdoherë kur të na mohoni gjuhën këtu do na keni (Video)