Përplasje mes VLEN-it dhe BDI-së rreth trajtimit të studentëve dhe çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe

Përplasjet mes VLEN-it dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë vazhduar edhe sot lidhur me çështjen e gjuhës shqipe në jurisprudencë dhe incidentit me studentë shqiptarë nga Tirana, që u ndaluan nga Policia e Maqedonisë. VLEN thotë se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provime profesionale është adresuar dhe po zgjerohet, duke theksuar se provimi i jurisprudencës dhe provimet tjera profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe. Sipas tyre, zgjidhje të ngjashme janë arritur edhe në fusha të tjera si provimet mjekësore profesionale dhe edukatorët në çerdhe, ndërsa akuzojnë BDI-në për lënien e shumë çështjeve “të pazgjidhura ose gjysmake” gjatë dy dekadave të fundit. Nga ana tjetër, BDI ka reaguar pas publikimit të video-incizimeve në media që, sipas tyre, tregojnë keqtrajtimin e studentëve shqiptarë nga policia gjatë një aktiviteti solidarizues me studentët në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe, transmeton Portalb.mk.

“BDI-së i shkoi huq edhe një tentim. Asgjë nuk po u shkon për dore. Provuan me tenda në shesh, gjoja për mbrojtjen e gjuhës shqipe, e përfunduan me non grata. Provuan me letra drejtuar ndërkombëtarëve dhe morën zero përgjigje. Provuan me mashtrimin politik të quajtur “referendumi” dhe humbën me 10 komuna në konto të VLEN-it. Në fund, tentuan të shpëlahen në kurriz të studentëve. Edhe kjo u dështoi. Protesta përfundoi, por maskat ranë për të satën herë. Mund të bërtasin sa të duan, por e vërteta është një. Studentët kërkuan provimin e jurisprudencës në shqip, një mundësi që deri sot nuk ka ekzistuar. VLEN iu qas këtij problemi në rrënjë. Prandaj, zgjidhja nuk do të ndalet vetëm te jurisprudenca. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe. Gjithçka që la BDI këto 20 vite, janë çështje o të pazgjidhura ose gjysmake”, thonë nga VLEN.

BDI e cilëson rastin si “skandal institucional” dhe pretendon se studentët janë penguar dhe trajtuar në mënyrë të papranueshme, përfshirë edhe presion fizik dhe verbal nga zyrtarë policorë. Partia kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit Astrit Iseni, përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe sqarim publik për veprimet e policisë.

BDI e konsideron ngjarjen si presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe kërkon hetim të plotë institucional, ndërsa kritikon edhe reagimin e kundërshtarëve politikë për këtë çështje.

“Video-incizimet e publikuara sot në media, ku shihet trajtimi apo më mirë të themi keqtrajtimi i studentëve shqiptarë nga Tirana nga ana e policisë, janë dëshmi e një skandali institucional. Ata studentë nuk erdhën për të provokuar askënd. Erdhën për të mbështetur studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në kërkesën e tyre të drejtë për përdorimin zyrtar dhe të plotë të gjuhës shqipe. T’i ndalosh, t’i pengosh dhe t’i trajtosh si kërcënim studentët që solidarizohen me një kauzë gjuhësore e kombëtare, është akt i papranueshëm. Deklarata e tyre se janë ndjerë “të marrë peng” e tregon qartë përmasën e këtij keqtrajtimi. Ky nuk është rend publik. Ky është presion politik ndaj studentëve shqiptarë dhe ndaj çdo zëri që kërkon barazi. Aq më tepër skandaloze është kërcënimi me ulurima i policëve ndaj fëmijëve në anglisht “mbylle gojën” dhe goditja me grusht në gjoksin e një të mituri. BDI kërkon dorëheqje nga zëvendësministri Astrit Iseni. Kërkon përgjegjësi të menjëhershme nga MPB dhe sqarim publik për çdo veprim policor. Në një shtet demokratik nuk pengohen studentët që kërkojnë e drejta të respektohen. Ndërsa gjysëmkryetarët e VLEN-it nuk guxojnë zë të nxjerrin. Turp!!!”, thonë nga BDI.

Reagimet dhe akuzat e VLEN dhe BDI, vijnë pasi dy ditë më parë, gjatë zhvillimit të protestës studentore në Shkup, studentët shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke e lidhur këtë me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të drejtave të garantuara. Protesta u shoqërua me vonesa, ndalesa policore dhe disa arrestime. BDI dhe përfaqësues të tjerë e kanë cilësuar trajtimin e studentëve si presion institucional dhe shkelje të të drejtave, ndërsa pala tjetër dhe institucionet theksojnë se çështja është profesionale dhe jo politike, duke akuzuar për politizim të protestës.