Shkelën Ligjin për flamujt, himnin dhe Kushtetutën, tha Mickoski për protestën e studentëve shqiptarë
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se mbështet të drejtën e protestës si vlerë demokratike, por se protesta e pardjeshme e studentëve shqiptarë, sipas tij, në të cilën kërkuan t’u lejohet të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkeli ligjet dhe Kushtetutën, transmeton Portalb.mk.
“Unë gjithmonë mbështes protestat, është një e drejtë demokratike dhe nuk kam asnjë dilemë këtu”, tha Mickoski.
Megjithatë, ai shtoi se ishte i shqetësuar nga sjellja e disa prej pjesëmarrësve në protestë, të cilët sipas tij po shkelnin dispozitat ligjore.
“Personalisht jam i shqetësuar nga fakti që protestuesit, të cilët janë juristë dhe luftojnë për ligjin, po shkelin Ligjin për Flamujt, Ligjin për Himnin Kombëtar, Kushtetutën e kështu me radhë”, tha kryeministri.
Ai thase nuk do të komentonte për fyerjet dhe incidentet gjatë protestës, dhe, siç tha ai, incidentin e dhunshëm që ndodhi.
“Hajde, nuk do të komentoj për fyerjet, kjo është ende edukim në shtëpi që fitohet në shtatë vitet e para të jetës, nuk do të komentoj për incidentin e dhunshëm që ndodhi”, tha kryeministri.
Mickoski nuk donte të komentonte për, siç tha ai, ndikimet e jashtme në proceset e brendshme politike në vend.
“Do ta lëmë këtë si folklor”, shtoi ai.
Ai njoftoi se Qeveria po punon për zgjidhje të përhershme për çështjet që lidhen me provimin e jurisprudencës dhe probleme të tjera të trashëguara.
Ai kritikoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, duke shtuar se partia kishte dy dekada për të zgjidhur këto çështje.
“Ata kishin mundësinë për 20 vjet për të zgjidhur këto çështje, por nuk bënë asgjë”, tha kryeministri.
Disa ish-zyrtarë, siç tha ai, janë pasuruar në kurriz të pozicioneve politike dhe interesave publike.
“Kjo është arsyeja pse ata kanë zgjidhur shumë çështje personale. Nëse krahasoni situatën financiare, do të shihni se si njerëzit nga të varfër po bëhen milionerë, në shpinë të sloganeve kombëtare dhe në shpinë të njerëzve që po përpiqen të sigurojnë jetesën”, tha Mickoski.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me tubimin e paralajmëruar në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq që do të mbahet në Kumanovë, kryeministri tha se nuk mbështet ndërhyrjen e jashtme në punët e brendshme të shtetit.
“Unë absolutisht nuk mbështes ndërhyrjen e jashtme në politikat e brendshme të Maqedonisë, siç ishte rasti ditën tjetër, por edhe ne si qeveri nuk kemi ndërmend, as nuk kemi avokuar, të ndërhyjmë në politikat e brendshme dhe të pavarura të ndonjë shteti”, shtoi ai.
Kujtojmë se, me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë protestuan më 18 maj në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet. Studentët u përballën me ndalesa nga policia ndërkaq në protestë u arrestuan tre persona.