U anulua seanca gjyqësore për zjarrin në modular, familjarët: Luajnë me ne (Video)
Për herë të dytë u anulua seanca gjyqësore për rigjykimin e rastit të zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona, shkruan Portalb.mk.
Seanca e sotme u anulua pasi mungoi avokati i ish-drejtorit ekonomik të spitalit të Tetovës, siç u tha për arsye shëndetësore.
Seanca e radhës u caktua për më 5 nëntor.
Nga ana tjetër, familjarët e viktimave të zjarrit në modular shprehen se drejtësia luan me ata.
Mumin Ismaili theksoi se nuk janë të kënaqur me këtë gjykim.
“Bëjnë skena pa lidhje që nuk i ka hije një kombi… Është një zinxhir më i madh i të akuzuarve por shteti si shtet heshtën në kështu rastesh… Duhet të jetë edhe ish-ministri i cili tani është bërë lider partie”, tha Mumin Ismaili.
Ibin Emshi tha se seancat anulohen për arsye të kota.
“Prej gjykimit shpresojmë pak ndryshim që të mund të na mbulojnë dhimbjen, të gjykohen njerëzit e duhur dhe ta marrin dënimin e duhur. Çdoherë e kemi përmendur duhet të dënohet kush e ka bërë spitalin, Koço Angjushev dhe të tjerët që janë bashkë aty. Presim të përfundojë, t’i marrin dënimet e duhura. Janë duke luajtur me ne”, tha Ibin Emshi.
Gjykimi u desh të fillonte më 26 qershor, por u anulua për shkak se nuk pati përfaqësues nga Spitali i Tetovës.
Gjykimi për këtë rast do të fillojë nga e para pasi Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi se aktgjykimi i Gjykatës së Tetovës për gjykimin paraprak ishte i paqartë,
Këtë herë në bankën e të akuzuarit duhet të ishin ish drejtorët e Spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe Spitali i Tetovës si person juridik.
Mjeku Boban Vuçevski është i liruar nga akuza.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 ka vendosur që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.
Asgjë të re nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion
Ende nuk ka vendim nga Prokuroria Publike për hetimin e dytë i cili zhvillohet për zjarrin në spitalin modular, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vjet që kur në gusht 2023 deklaruan se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Ky rast sipas Prokurorisë është në fazën e para marrjes së vendimit.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të pa larat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.
Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Shumë protesta për drejtësi
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit dhe pas dokumentarit të IRL-së, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.
Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.
Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.