Greta Thunberg në COP31 bëri thirrje që njerëzit dhe planeti të vijnë para përfitimit dhe pushtetit
Aktivistja për klimën, Greta Thunberg, mbërriti në COP31, duke e cilësuar këtë ngjarje të përvitshme si hipokrite dhe duke u bërë thirrje liderëve që t’i vendosin njerëzit dhe planetin para fitimit dhe pushtetit. Konferenca po mbahet në qytetin turistik turk të Antalias, pas një viti të karakterizuar nga katastrofa klimatike vdekjeprurëse, përfshirë valët e të nxehtit dhe përmbytjet, si dhe nga një tjetër krizë energjetike e shkaktuar nga lufta në Iran, raporton Associated Press.
“Çdo vit shohim hipokrizi. Vendet pritëse e marrin mundësinë për të ‘pastruar’ imazhin e tyre, ndërsa e dimë se këto negociata janë të mbushura me lobistë të paguar pikërisht nga ato industri shkatërruese që përfitojnë nga status quo-ja jonë jashtëzakonisht e dhunshme. Sistemet tona politike dhe ekonomike janë bërë të papajtueshme me natyrën njerëzore”, deklaroi Thunberg pas mbërritjes.
Turqia dhe Australia, të cilat janë bashkëorganizatore të COP31, promovojnë burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe vendosjen e paneleve diellore në çatitë e ndërtesave, por megjithatë vazhdojnë të mbështeten në masë të madhe te lëndët djegëse fosile, veçanërisht te qymyri, për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe vendet që kanë organizuar konferencat e mëparshme, si Brazili, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhani, janë prodhues të mëdhenj të naftës.
“Duhet të veprojmë për t’i mbrojtur njerëzit dhe për t’u sjellë atyre përfitime, në vend që vazhdimisht të sakrifikojmë shumicën globale dhe vetë planetin ku jetojmë të gjithë, vetëm që disa të privilegjuar të vazhdojnë të realizojnë fitime të paimagjinueshme dhe të ruajnë fuqinë e tyre gjeopolitike”, tha ajo.
Ky është samiti i parë për klimën ku merr pjesë Thunberg që nga negociatat në Glasgou të Skocisë, në vitin 2021, kur ajo i hodhi poshtë premtimet e liderëve botërorë, duke i cilësuar ato thjesht si “bla, bla, bla”.
Ajo u bë e njohur në vitin 2018, kur në moshën 15-vjeçare nisi një grevë shkollore për klimën para parlamentit suedez. Në vitin 2022 publikoi “Librin e Klimës”, në të cilin paraqiten masa për përballimin e krizës klimatike.
Thunberg është fituese e shumë çmimeve dhe angazhohet për kauza të ndryshme, përfshirë lëvizjen për Palestinën e lirë. Vitin e kaluar u arrestua në Londër, ndërsa po shprehte mbështetjen për aktivistët pro-palestinezë që ishin në grevë urie. Së fundmi, ajo mbështeti edhe nxënësit francezë që protestuan duke kërkuar më shumë burime për shkollat. Në vitin 2024, ajo iu bashkua një proteste në Gjeorgji kundër mbajtjes së COP29 në Azerbajxhan.
Një nga synimet kryesore të Turqisë është elektrifikimi global, përkatësisht kalimi i sektorëve si transporti, ndërtesat dhe industria e rëndë nga lëndët djegëse fosile në energjinë elektrike.
Turqia synon që deri në vitin 2035, energjia elektrike, mundësisht e prodhuar nga burime të ripërtëritshme si dielli dhe era, të përbëjë 35 për qind të konsumit global të energjisë, nga 23 për qind sa është aktualisht.
“Natyrisht, duhet t’i pranojmë arritjet që kemi, sepse në këtë situatë jemi në një gjendje aq të dëshpëruar saqë duhet të kapemi pas çdo shenje pozitive, për të shpëtuar gjithçka që ende mund të shpëtohet”, deklaroi Thunberg, e cila pritet të qëndrojë disa ditë në COP31.
Mbërritja e Thunberg në konferencë shkaktoi entuziazëm te shumë aktivistë të rinj për klimën.
“Në këtë kohë të tensioneve të shtuara gjeopolitike, shpresoj që prania e Gretës këtu të na kujtojë pse e nisëm këtë punë: për të kërkuar ndryshime thelbësore, për t’u kërkuar llogari vendimmarrësve dhe për të punuar drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë njerëzimin”, tha Amber Turner, 26-vjeçare dhe bashkëpunëtore në Aleancën e Shteteve të Vogla Ishullore.