“Si me na vrarë edhe neve”, familjarët e viktimave të modularit organizojnë protestë të premten: Nëse rasti përfundon këtu, do të shkojmë në Strazburg

Të premten (8 shtator) me fillim nga ora 14:00 me pikënisje nga lokacioni ku ishte spitali modular i Tetovës, familjarët e viktimave organizojnë protestë ku kërkojnë drejtësi për jetët e humbura në zjarrin që bëri hi spitalin. Ata shprehen se drejtësi në vend nuk ka, dhe nëse ky rast përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shkruan Portalb.mk.

Protesta do të fillojë në nga vendi ku ishte spitali modular, do të vazhdojë në qendër dhe më pas deri te Gjykata e Tetovës.

Familjarët shprehen se përmes kësaj proteste do të shprehin mllefin ndaj drejtësisë së mossjellur për familjarët e tyre. Ndërkaq kërkojnë që politika mos përzihet dhe mos të politizohet protesta.

“Ftoj të gjithë qytetarët të na bashkëngjiten në protestë. Këtë shprehje të mllefit tonë nuk duam që ta shfrytëzojnë nga asnjë subjekt politik dhe për përfitime. Protestën e organizojmë ne si familjarë, pa prapavija politike, nuk duam politika të përfshihet këtu. Do të zgjas dy orë, ashtu është e paraqitur në polici”, tha Mumin Ismaili.

Politika sipas tyre ka heshtur për këtë rast, andaj ata do të vazhdojnë protestat.

“Ne e kemi ditur se nuk janë vetëm këto tre persona të përfshirë në spitalin modular, disa herë e kam cekur se është një zinxhir i madh i kësaj fatkeqësie por çdoherë kanë heshtur politika e Maqedonisë, kanë heshtur edhe me informimin e gazetarëve të IRL-së që e nxorën drejtësinë se kush është përgjegjës dhe kush duhet të jetë pas hekurave. Kështu ne do vazhdojmë me protestat”, tha Ismaili.

Ata thonë se nuk do të ndalen me kaq.

“E kam cekur disa herë, nëse kjo do përfundojë këtu ne do shkojmë edhe në Strazbug, do kërkojmë të drejtat tona – të drejtat e njeriut edhe në Strazburg, asnjëherë nuk do ndalemi këtu. Ne si familjarë ndjehemi si me na vrarë edhe neve, se drejtësi këtu nuk ka. Ne si familjarë ndjehemi si me na vrarë edhe neve, se drejtësi këtu nuk ka. Nuk jemi të kënaqur assesi”, tha Ismaili.

Protestë për këtë rast muajin e kaluar organizuan nisma Më mirë për Tetovën. Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Ljubomir Joveski si dhe së bashku me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër të përgjigjen penalisht. Gjithashtu në protestë u kërkua të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.