“32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion që vret”, Tetova në protestë për dy-vjetorin e tragjedisë në spitalin modular (Video)

Përvjetori i dytë i tragjedisë së  zjarrit të tmerrshëm që bëri hi spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 persona, sot u shënua me marsh protestues në Tetovë. Familjarët e viktimave dhe qytetarët kërkojnë drejtësi për jetët e humbura, ndërsa drejtësi për këtë rast nuk ka ende, shkruan Portalb.mk.

“32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion që vret”, ishte pankarta kryesore të cilën e bartën protestuesit përgjatë marshit i cili filloi në vendin ku ishte i ndodhur spitali modular, duke vazhduar përgjatë bulevardit “Bllagoja Toskë”, bulevardit “Iliria” në qendër dhe duke përfunduar te Gjykata e Tetovës.

Qindra qytetarë dolën për të shprehur revoltën e tyre.

“14 jetë të humbura, e vërteta të del në shesh”, “Hanefi Ameti (prokuror i Tetovës) a falesh hala në xhami?”, “Besir Aliu (kryeprokuror i Tetovës) a flen rahat?”, “Gjithçka është rreth parasë”, “Drejtësi, jo pazare”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Tetova nuk do të ketë qetësi”, ishin këto vetëm disa nga pankartat dhe thirrjet që bënë qytetarët.

Familjarët e viktimave thanë se nuk do të ndalen me këtë protestë dhe se do të shkohet edhe në Shkup para prokurorisë.

“Nuk e lëmë me kaq”, tha mes tjerash Mumin Ismaili, i cili nga zjarri në modular humbi nënën.

Protestuesit kishin disa kërkesa, edhe atë:

  1. Të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit
  2. Rishqyrtimi dhe shqyrtimi i vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.
  3. Shkarkimi i kryeprokurorit Joveski së bashku me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu dhe prokurorët Zorica Pavloviq, Dean Petreski, Hanefi Amet dhe të tjerët të përfshirë në këtë vepër.

Ibin Emshiu, i cili humbi babanë dhe vëllain nga zjarri, u shpreh se sot njëjtë si para dy viteve i kanë ende të freskëta britmat dhe te qarat e familjarëve, që u dogjën para syve të tyre.

“Ata sot nuk janë në mesin tonë vetëm pse nuk u respektua asnjë standard i ndërtimit. U munduan të na frikësojnë dhe të na heshtin duke i vlerësuar jetët e tyre me disa mijëra euro, dhe tentuan t’i fshehin fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie. Tymi i zi që atë natë e mbuloi qytetin, sot po mbulon drejtësinë e këtij vendi. Besimi në sistemin e drejtësisë të këtij shteti është zero. Jeta e qytetarëve është bërë peng i pazareve dhe tenderëve pa asnjë kriter vetëm për përfitime materiale. Korrupsioni vret!”, tha Ibishi.

08.09.2023, Tetovë, protesta për drejtësi për zjarrin në spitalin modular. Në foto: Mumin Ismaili dhe Ibin Emshiu. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
08.09.2023, Tetovë, protesta për drejtësi për zjarrin në spitalin modular. Në foto: Mumin Ismaili dhe Ibin Emshiu. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mumin Ismaili në fjalën e tij para qytetarëve tha se të gjithë politikanët flasin për integrim në BE, kurse nuk respektohet jeta njerëzore.

“14 viktima, zero ditë burg. Gjyqësori dhe prokuroria janë pjesë dhe mbrojtës të krimit të organizuar, korrupsionit, të së keqes dhe oligarkisë. Anashkalimi i ekspertizës gjermane vetëm që të amnestohen fajtorët e vërtetë është skandal i sistemit gjyqësor. Kultura e pandëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë cila onkologji mund ta shërojë kancerin në Maqedoni”, tha Ismaili.

Protestën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Paraprakisht, familjarët patën kërkuar që protesta mos të politizohet dhe keqpërdoret, pasi sipas tyre, politika ka heshtur për këtë rast.

Familjarët shprehen se drejtësi në vend nuk ka, dhe nëse ky rast përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Protestë për këtë rast muajin e kaluar organizuan nisma Më mirë për Tetovën. Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Ljubomir Joveski si dhe së bashku me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër të përgjigjen penalisht. Gjithashtu në protestë u kërkua të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.