Të shkarkohet Joveski dhe të ndiqen funksionarët e Ministrisë së Shëndetësisë, porositën familjarët e viktimave të Modularit gjatë protestës në Shkup
Qytetarët dhe familjarët e viktimave të zjarrit në Spitalin Modular, me pankarta në duar sot në Shkup marshuan për të kërkuar drejtësi për rastin tragjik, ku 14 bashkëqytetarë humbën jetën. Ata kërkojnë të shkarkohen pesë prokurorë, të ulen në bankën e drejtësisë udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të kompanisë “Brako”, por edhe të rishqyrtohet procesi gjyqësor për Spitalin Modular i zhvilluar në Gjykatën e Tetovës, raporton Portalb.mk.
“Vrasës”, “drejtësi”, “monstra”, këto ishin vetëm disa prej thirrjeve të dhjetëra familjarëve dhe qytetarëve, cilët sot marshuan prej sheshit “Skënderbeu” të Shkupit deri te objekti i Prokurorisë, për të kërkuar përgjegjësi për 14 jetët e humbura gjatë djegies së Spitalit Modular të Tetovës në mbrëmjen e 8 shtatorit të vitit 2021.
“Besimi në sistemin e drejtësisë është zero dhe jemi dëshmitarë të një papërgjegjësie totale me sundim kriminal. Kultura e pandëshkueshmërisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe nuk e dimë se cila onkologji mund ta shërojë kancerin që ka kapluar gjithë Maqedoninë”, tha familjari Ibin Emshiu nga fshati Siniçan.
Familjarët kërkojnë që të shkarkohen prokurorët të cilët kanë punuar në rastin në fjalë, duke nisur nga kryeprokurori Lubomir Joveski, pastaj dhe Besir Aliu, Hanefi Ameti, Zorica Pavlloviq dhe Dejan Petreski të involvuar në fshehjen e krimit.
“Të hapet procedurë gjyqësore për shkaqet e zjarrit ku në bankën e të akuzuarve do të ulen udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë si porositës (të spitalit modular) dhe kompania “Brako” si fitues i tenderit”, është kërkesa e dytë e familjarëve.
Ata kërkojnë gjithashtu edhe që të ketë rigjykim dhe rishqyrtim të vendimeve nga gjykimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.
“Nëse kërkesat tona vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër do të jemi të detyruar të ndryshojmë formën e protestës paqësore. Pa drejtësi nuk ka qetësi”, tha Emshiu , i cili foli në emër të familjarëve të viktimave.
Ndryshe, protesta u organizua me iniciativë të disa prej familjarëve të viktimave.
Familjarët janë shprehur se drejtësi në vend nuk ka, dhe nëse ky rast përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Javën e kaluar familjarët protestuan në Tetovë ku kërkuan të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës si dhe shkarkimn e kryeprokurorit Joveski së bashku me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu dhe prokurorët Zorica Pavloviq, Dean Petreski, Hanefi Amet dhe të tjerët të përfshirë në këtë vepër.
Protestë për këtë rast muajin e kaluar organizuan nisma Më mirë për Tetovën. Protestuesit kërkuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta shkarkojë kryeprokurorin Ljubomir Joveski si dhe së bashku me prokurorët e tjerë të përfshirë në këtë vepër të përgjigjen penalisht. Gjithashtu në protestë u kërkua të gjykohen dhe dënohen fajtorët e vërtetë, përfshirë edhe politikanët që në kundërshtim me ligjin që tenderin për ndërtim ia kanë dhënë kompanisë “Brako”, si ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe.
Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.
Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.