RMV, Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve sot kumtoi se e vazhdon grevën e përgjithshme, e cila u la në pritje në maj të këtij viti

Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve sot kumtoi se e vazhdon grevën e përgjithshme, e cila u la në pritje në maj të këtij viti, raporton MIA.

“Të punësuarit në QSHP dolën në prag të maturës shtetërore dhe në një kohë shumë të shkurtër me përpjekje mbinjerëzore realizuan në kohë dhe me sukses maturën shtetërore si dhe procese dhe aktivitete të tjera në kompetencë të QSHP. Institucionet kompetente që ishin përgjegjëse për zgjidhjen e problemit tonë të kahmotshëm me pagat dështuan”, thuhet në kumtesën e QSHP-së.

Nga aty theksojnë se në këto shtatë muaj pas ndërprerjes së grevës, QSHP ka qenë në negociata të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, gjatë të cilave janë propozuar dhe dorëzuar për miratim disa zgjidhje të mundshme, por asnjë nuk është pranuar.

Siç informojnë, aktivitetet të cilat zbatohen në këtë periudhë në QSHP, ndërsa realizimi i të cilave do të vihet në pikëpyetje janë provimi profesional për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional (700 kandidatë të paraqitur), trajnimi bazë për kandidatët për drejtorë, trajnimet e avancuara për drejtorë, testimet ndërkombëtare.

“Nëse ky problem nuk zgjidhet, do të vihet sërish në pikëpyetje provimi shtetëror i maturës, i cili fillon aktivitetin më 1 janar të vitit 2024. Paraprakisht u kërkojmë falje të gjithë personave që do të kenë nevojë për shërbimet e Qendrës Shtetërore të Provimeve dhe të cilët do të refuzohen me grevë”, theksojnë nga QSHP.

Ndryshe, të pasuksesshme ishin bisedimet për rritjen e pagave të punonjësve në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QShP), për çka greva kishte vazhduar. Ata në pranverë kishin pezulluar grevën për shkak provimeve shtetërore në shkollat e mesme.

Ministri Jeton Shaqiri kishte kërkuar nga punëtorët që të mos e vënë në dyshim provimin e maturës shtetërore. Ai apeloi që bashkë me drejtoreshën të komunikojnë me institucionet e tjera dhe të presin Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.