AKI dhe VLEN u bashkuan në Butel: Nuk kaloi propozimi për mbishkrimin në shqip te Mega Parku, këshilltarët e lëshuan seancën pas tensioneve

Këshilltarët shqiptarë në Komunën e Butelit nga AKI dhe VLEN sot e lëshuan seancën e këshillit në shenjë proteste, pasi nuk u miratua propozimi që në tabelën informuese të Mega Parkut në këtë komunë të vendoset edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe. Për mungesën e shqipes në këtë tabelë, më herët kishte raportuar Portalb.mk.

Propozimi u bë me iniciativë të këshilltarëve të AKI-së dhe me mbështetjen e këshilltarëve të VLEN-it. Tetë këshilltarët shqiptarë votuan pro, ndërsa 11 këshilltarët tjerë abstenuan, për çka propozimi nuk mori shumicën e nevojshme.

Pas kësaj, këshilltarët e AKI-së vendosën ta lëshojnë seancën në shenjë proteste. Në shenjë solidarizimi me ta, seancën e lëshuan edhe këshilltarët e VLEN-it.

Për këtë pikë gjatë diskutimit pati edhe tensione, të cilat u shpërndanë edhe në rrjetet sociale.

Këshilltarja e AKI-së në Komunën e Butelit, Senka Nuhiu-Qafleshi, tha se kërkesa e tyre është që përdorimi i gjuhës shqipe të respektohet në këtë komunë.

“Qëndrimi i këshilltarëve shqiptarë në Komunën e Butelit mbetet i qartë: gjuha shqipe të respektohet dhe të përdoret zyrtarisht në Komunën e Butelit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Nuhiu-Qafleshi.

Portalb.mk raportoi më herët për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën informuese të Mega Parkut të ri në Butel, i cili u promovua nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit.

Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk lidhur me mungesën e shqipes, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” thanë se vendosja e tabelave nuk ishte në kompetencën e tyre.

Pas raportimit të Portalb.mk, reaguan edhe këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it në komunën e Butelit, të cilët shprehën pakënaqësi për mungesën e gjuhës shqipe në tabelë.

Kujtojmë se, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë rezidente. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj janë në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase.

Ky nuk është rasti i parë i mosrespektimit të gjuhës shqipe. Edhe më herët janë evidentuar raste të ngjashme, ndërsa institucionet janë arsyetuar se bëhet fjalë për lëshime teknike që do të korrigjohen.