Policët në RMV do të kenë kamera trupore me inteligjencë artificiale
Të gjithë zyrtarët policorë që punojnë në terren do të mbajnë kamera trupore, sipas modelit të policisë amerikane, pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lidhur një marrëveshje pesëvjeçare me kompaninë amerikane “Axon”, furnizuese e pajisjeve për agjencitë qeveritare të zbatimit të ligjit, njofton “Sloboden Peçat”.
Siç shkruan mediumi, kamerat trupore do të dorëzohen në mënyrë të njëpasnjëshme gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa të parat pritet të bëhen pjesë e uniformës policore në mesin e vitit 2027. Marrëveshja nuk mund të gjendet në faqen e Byrosë për Prokurime Publike, pasi për këtë pajisje të sofistikuar është lidhur drejtpërdrejt, pa procedurë të hapur tenderimi. Kompania amerikane “Axon” tashmë ka fituar një tender nga Departamenti Amerikan i Shtetit për furnizimin me kamera trupore, në kuadër të sistemit të sigurimit të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.
Sipas burimeve të “Sloboden Peçat” në MPB, kamerat do të kenë funksionalitete të shumta, si inteligjenca artificiale dhe përkthimi i të folurit në kohë reale nga më shumë se 40 gjuhë. Incizimet do të dërgohen në një qendër komanduese, të ngjashme me atë të “Safe City”, por të veçantë, ku të dhënat do të analizohen përmes softuerit.
Fillimisht, një qendër e tillë komanduese do të hapet në Veles. Pritet që kamerat, si pjesë përbërëse e uniformës policore, të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, efikasitetit dhe transparencës së policisë, si dhe në mbrojtjen e qytetarëve dhe zyrtarëve policorë. Meqë përmes tyre do të mund të ndiqen raportimet e regjistruara dhe ngjarjet që lidhen me veprat penale, synimi afatgjatë është që këto të dhëna të shërbejnë për hartimin e politikave të parashikimit të kriminalitetit.
“Për shembull, me të dhënat nga kamerat do të mund të parashikohet se sa grabitje mund të kryhen në të ardhmen në një komunë të caktuar, bazuar në të dhënat e vitit paraprak. Kamerat e serisë ‘Axon Body 4’ janë sisteme të avancuara policore për incizim audio dhe video, me mundësi lidhjeje të drejtpërdrejtë me qendrat komanduese. Pajisja ka kamerë me sensor prej 5 megapikselësh, kënd incizimi prej 160 gradësh dhe bateri të projektuar për të përballuar një ndërrim të plotë policor. Një nga funksionet më të rëndësishme është i ashtuquajturi ‘pre-event buffering’, që do të thotë se kamera mund të incizojë video në memorien e përkohshme deri në 120 sekonda para se polici të shtypë butonin për fillimin zyrtar të incizimit. Kështu, nëse polici e aktivizon kamerën vetëm pasi të ketë filluar incidenti, sistemi mund t’i ruajë edhe momentet paraprake, të cilat përndryshe do të mbeteshin të padokumentuara. Kamera mbështet edhe të dhënat e lokacionit përmes GPS-it”, shkruan “Sloboden Peçat”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, muajin e kaluar, gjatë vizitës së punës në Florida të SHBA-së, u takua me themeluesin e kompanisë “Axon”, Rick Smith. Në takim është diskutuar plani që Maqedonia të bëhet qendër rajonale demonstruese për teknologjitë e kompanisë “Axon”. “Axon” është kompani amerikane e specializuar në kamerat trupore, sistemet policore të incizimit dhe menaxhimin e dëshmive digjitale.
Kujtojmë se me donacionin e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, Drejtoria e doganave në shtator ka vënë zyrtarisht në përdorim kamera trupore në punën e zyrtarëve doganorë në tre vendkalime kufitare, Tabanoc, Bllacë dhe Qafë Thanë, me përdorimin e të cilave pritet të forcohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.