Delegacionit të BE-së reagoi ndaj debatit publik lidhur me Konviktin Studentor “Stiv Naumov”

Pas debatit të fundit publik lidhur me kushtet në konviktin studentor “Stiv Naumov” në Shkup, Delegacioni i BE-së tha se ka ndjekur situatën dhe ka verifikuar faktet, përfshirë edhe përmes një vizite të përfaqësuesve të tij në këto ambiente, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Evropian, së bashku me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), ka mbështetur rinovimin e konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup, si pjesë e një programi më të gjerë për përmirësimin e vendosjes së studentëve. Objektet e rinovuara u përuruan zyrtarisht më 30 shtator 2026 dhe janë ende nën garanci. Nëse vërehet ndonjë defekt ndërtimor ose probleme teknike, ato duhet të raportohen përmes kanaleve përkatëse, për t’u shqyrtuar dhe riparuar nga kontraktorët përgjegjës”, thonë nga Delegacioni.

Ata shtojnë se trajtimi i problemeve reale dhe sigurimi i informacioneve të sakta janë thelbësore për mbrojtjen e interesave të studentëve dhe ruajtjen e besimit të opinionit publik.

“Studentët kanë të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre dhe këto shqetësime duhet të merren seriozisht. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që informacioni që ndahet publikisht të jetë i saktë dhe i verifikuar siç duhet. Pamje ose incidente të veçuara nuk e pasqyrojnë gjithmonë të gjithë situatën, ndaj përfundimet duhet të bazohen në fakte të vërtetuara”, thuhet në reagim.

BE-ja thotë se pret standarde të larta cilësie dhe llogaridhënieje nga të gjitha palët e përfshira në investimet e saj. Ndërsa autoritetet dhe kompania ndërtuese janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e defekteve, studentët poashtu mbajnë përgjegjësinë t’i përdorin ambientet me kujdes – para së gjithash, për të mirën e tyre.

“Faktet kanë rëndësi. Po ashtu edhe studentët”, thuhet në fund të reagimit.

Zhurmë e vazhdueshme prej disa javësh nga radiatorët, rrjedhje uji dhe paraqitje e lagështisë në tualete në pjesën e rinovuar të konviktit studentor “Stiv Naumov”. Ndërkaq, në barakat që nuk janë përfshirë në rikonstruksion, është djegur një bojler. Këto janë problemet për të cilat studentët kanë alarmuar përmes platformës “Studentaria”, por edhe ata që janë prekur drejtpërdrejt, thotë kryetarja e Kuvendit Studentor Universitar pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), raporton Telma.

Sipas Angela Vasilevskës, videot dhe fotografitë që i janë dërguar tregojnë kushte shqetësuese dhe të rrezikshme për jetën e studentëve në konviktin studentor, për rikonstruksionin e të cilit ishin paraparë 10 milionë euro dhe që u realizua nga kompania austriake “Strabag”. Sipas Vasilevskës, institucionet kompetente duhet sa më shpejt të kryejnë një kontroll të pavarur teknik dhe të sigurojnë kushte dinjitoze për studentët.

“Këto kushte janë padyshim shqetësuese, ndërsa problemi i fundit është edhe i rrezikshëm për jetën. Prandaj, konsideroj se institucionet duhet të përfshihen sa më shpejt dhe të kryejnë një kontroll të pavarur teknik si të konviktit të rikonstruktuar, ashtu edhe të pjesës që nuk është rikonstruktuar. E gjithë kjo me qëllim që të sigurohet një jetë dinjitoze studentore. Sepse një konvikt studentor dinjitoz nuk sigurohet vetëm me një hapje solemne”, tha Angela Vasilevska, kryetare e Kuvendit Studentor Universitar pranë UKM-së.

Për kushtet në konviktin studentor “Stiv Naumov” dhe subvencionin për ushqimin studentor reaguan edhe nga Lidhja Socialdemokrate e të Rinjve të Maqedonisë (LSDRM).

“Për çfarë paguajnë studentët 6.600 denarë në muaj? Për defekte në konviktin që duhej të rinovohej plotësisht. Çfarë fituan studentët? Asgjë. As kushte dinjitoze për jetë në konvikte dhe as subvencion më të lartë për ushqimin studentor – ata mezi mbijetojnë me 140 denarët e mjerë për ushqim”, deklaroi Stefanija Kuzmanovska, kryetare e LSDRM-së.

Pas inspektimit të kryer më 30 tetor, ministrja e Arsimit dhe Shkencës mohoi se ka mure të shembura dhe rrjedhje nga çatitë, siç pretendojnë nga LSDRM-ja. Sipas saj, problemet që paraqiten do të sanohen nga “Strabag”, pasi objekti është ende nën garanci.

“A mund të ndodhë ndonjë incident? Po, mund të ndodhë. Konvikti është i ri. Edhe kur qytetarët blejnë një banesë, mund të ndodhë që diçka të mos jetë ashtu siç duhet. Konvikti është nën garanci, kompania është e njohur. Gjithçka që duhet të riparohet, do të riparohet”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.