Policia do të mund të largojë dhunuesin nga shtëpia, propozim ndryshime ligjore në RMV
Me ndryshimet e propozuara ligjore, zyrtarët policorë do të fitojnë kompetenca të rëndësishme urgjente për trajtimin e dhunës në familje, duke u mundësuar viktimave mbrojtje të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë në situata kritike, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një brifing me mediat tha se nëse zyrtari policor, në vendngjarje dhe bazuar në vlerësimin e rrezikut, konstaton se ekziston rrezik serioz për dhunë në familje, do të mund të japë gojarisht urdhër për largimin e personit potencialisht të dhunshëm nga shtëpia.
Kjo masë, nga aspekti formal-juridik, do të vlejë pavarësisht nëse personi është pronar ligjor i shtëpisë apo jo, duke e vendosur sigurinë e viktimës në plan të parë.
Urdhri gojor, siç u sqarua, do të jetë i vlefshëm për 48 orë, ndërsa brenda gjashtë orëve policia do të jetë e obliguar t’i lëshojë kryerësit urdhër me shkrim, ta njoftojë qendrën kompetente dhe ta informojë menjëherë viktimën për sigurinë e saj.
Urdhri me shkrim, siç u theksua, i dërgohet menjëherë gjykatës, e cila merr vendim shpejt dhe pa mbajtur seancë gjyqësore.
Këto janë ndryshime të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili tashmë u është dorëzuar deputetëve. Siç u theksua në brifingun në MPB, ndryshimet synojnë të tejkalojnë mangësitë e deritanishme të sistemit, me qëllim që policia të mund të parandalojë me kohë dhe në mënyrë efikase dhunën në familje dhe t’i mbrojë viktimat.
Në brifing u theksua gjithashtu se, pas ndryshimit të ligjit, do të ketë një periudhë gjashtëmujore të zbatimit provues, gjatë së cilës duhet të miratohen aktet nënligjore dhe të organizohen trajnime për zyrtarët policorë. Në këtë proces do të përfshihen edhe partnerë ndërkombëtarë me përvojë në këtë fushë.
Me këtë zgjidhje ligjore, siç u theksua, hapet mundësia edhe për përdorimin e byzylykëve elektronikë në procedurë civile. Hollësitë lidhur me zbatimin e tyre duhet të përpunohen më tej, si dhe të përcaktohen mjetet financiare të nevojshme për këtë qëllim.
Dhuna në familje është një problem thelbësor shoqëror që vazhdon prej dekadash dhe ka shumë shkaqe. Megjithatë, siç theksuan nga MPB-ja në brifing, më e rëndësishmja është të identifikohen të gjitha mosfunksionalitetet e hallkave në të gjithë zinxhirin, me theks të veçantë te parandalimi dhe edukimi.
Kujtojmë se raporti i KE-së vëren se dhuna ndaj grave mbetet problem serioz, ndërsa mbështetja institucionale për viktimat është e pamjaftueshme.