Biftek për deputetët, bukë e konservë për studentët në Maqedoni
Një postim i Blend Hodait në rrjetet sociale tërhoqi vëmendjen me një krahasim mes ushqimit që u ofrohet deputetëve dhe ushqimit që kanë në dispozicion studentët, transmeton Portalb.mk.
Në fotografi shihen dy tavolina të vendosura në Shkup. Në njërën, të shënuar si “vakti i deputetëve”, ka mish, një gotë verë dhe një fletë me menynë e bufesë së Kuvendit. Në tjetrën, të shënuar si “vakti i studentëve”, gjenden një fetë bukë, një konservë ton, një spec, një qepë dhe një lëng.
Krahas fotografisë, Hoda shkroi: “Deri kur për disa luks në kurriz të shtetit, ndërsa për të tjerët luftë për mbijetesë?”
Shoqata Forumi për Ndryshime në Arsim, ngriti padi kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për shkak të mosrespektimit të Ligjit për racionin e subvencionuar studentor.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është befasuar në mënyrë të pakëndshme nga komentet e Blendit Hodait.
“Si profesor i rregullt universitar, pedagog dhe prind, mund të them se u befasova dhe u trondita në mënyrë të pakëndshme nga mënyra se si ofendohen profesorët e rregullt, siç jemi unë dhe ministrja e Arsimit, të cilët kemi ndihmuar gjenerata studentësh të fitojnë njohuri që më pas do t’u nevojiten në jetë, për veten dhe familjet e tyre. Kjo, së paku, është e pahijshme”, tha Mickoski.
Hodai, ndër të tjera, në reagimin e tij lidhur me shumën e mjeteve për racionin e subvencionuar, e cila nuk është harmonizuar me normën vjetore të inflacionit, kërkoi që studentëve t’u mundësohet të hanë në bufetë e Kuvendit dhe të Qeverisë, ku, siç tha ai, funksionarët kanë shumë privilegje.
“Le të hanë studentët biftekë prej 160 denarësh, siç hanë deputetët, e pastaj le të flasin se çfarë mund të blihet me 140 denarë”, tha Hodai.
Mickoski tha se i vjen keq që Hodai nuk kishte marrë pjesë në takimin me përfaqësuesit legjitimë të lëvizjeve studentore, ku është diskutuar për racionin studentor. Aty, siç tha ai, kishte folur për mundësinë që studentët ta shfrytëzojnë shumën mujore të miratuar për ushqim edhe në zinxhirët që ofrojnë zbritje dhe privilegje shtesë.
“Do të doja t’u dërgoja një mesazh studentëve se unë, si profesor i rregullt universitar, jam miku dhe përkrahësi i tyre, sepse, në fund të fundit, politika dhe pozita ime e sotme janë kategori kalimtare dhe të ndryshueshme. Kur e gjithë kjo të përfundojë, unë do të kthehem sërish në Universitet dhe do të punoj e shoqërohem përsëri me studentët. Do të përpiqem t’ua përcjell një pjesë të njohurive dhe përvojës sime, për të cilat shpresoj se do të përbëjnë vlerë të shtuar në jetën e një pjese të madhe të tyre”, tha Mickoski.
Ai tha se Qeveria po punon në projekte për konviktet studentore, për sigurimin e pajisjeve elektronike për çdo student, për kampuset e reja universitare në disa universitete dhe projekte të tjera.
Hodai iu kundërpërgjigj duke thënë se fyerje në fakt është fakti që studentëve nuk iu paguhet ajo që iu takon.
“Si profesor ju e dini mirë që e vërteta nuk mund të jetë kurrë fyerje. Fyerje është t’i nënvelrësosh studentët. Fyerje është fakti që ju nuk ua paguani studentëve shumën që duhet tua paguani sipas skemës për ushqimin e subvencionuar. Fyerje është gjithashtu të bëheni profesor në universitet si asistent i babait tuaj”, u përgjigj Hodai.
Shujta studentore ka qenë temë diskutimi edhe gjatë muajve të fundit. Studentët kanë kërkuar që shuma ditore të rritet nga 140 në 200 denarë, ndërsa Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë elektronikë në vlerë prej 4.500 denarësh në muaj. Për këtë propozim janë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit studentorë, por zgjidhja ende duhet të rregullohet përmes ndryshimeve ligjore.
- LEXO: Studentët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë shujta ditore deri 200 denarë, ministrja premtoi shqyrtimin e nismës
- LEXO: LSDM-ja propozoi që studentët të marrin 200 denarë në ditë për ushqim, pushteti e refuzoi amendamentin
- LEXO: Është e pahijshme të fyhen profesorët, Mickoski iu përgjigj komenteve të Hodait