RMV, prej sot nuk vlejnë çmimet e ngrira të një pjese të produkteve ushqimore bazë

Vendimi i qeverisë për ngrirjen e çmimeve për disa prej produkteve ushqimore bazë prej sot pushon së vlefshmi. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dy ditë më parë tha se nuk do ta zgjasë masën, duke qenë se inflacioni në fushën e produkteve ushqimore po bie ndjeshëm, transmeton Portalb.mk.

“Masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve bujqësore nuk do të vazhdojë, pasi çmimi i disa produkteve tashmë është më i ulët se niveli i vendosur. Inflacioni në fushën e produkteve ushqimore është në rënie të theksuar, ndaj presim që në qershor inflacioni në vend të jetë më i ulët se dhjetë për qind”, tha Bekteshi.

Me disa vendime të qeverisë, në dy muajt e fundit janë ngrirë çmimet e disa produkteve bujqësore, buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë, mielli, vaji i gatimit, vezët, orizi, pastat, qumështi dhe produktet e qumështit. U ngrinë edhe çmimet e pelenave, letrës higjienike, pecetave të lagura dhe pecetave higjienike.

Pritjet e Ministrisë së Ekonomisë janë që inflacioni në qershor të jetë më i ulët për 10 për qind, ndërsa autoritetet thonë se kanë marrë garanci edhe nga biznesi se nuk do të ketë ndryshime të mëdha çmimesh.

“Janë krijuar të gjitha parakushtet që çmimet të mbesin në të njëjtin nivel, ndoshta edhe të jenë më të ulëta, të gjitha kushtet paraprake që janë krijuar për rritjen e çmimeve tani nuk janë dhe rryma nuk është me çmimin që ka qenë. Çmimi i lëndëve të para në bursat botërore është ulur. Kjo do të thotë se si ata që prodhojnë, ashtu edhe ata që tregtojnë, kanë kushtet që të mbajnë realisht çmimet e reduktuara, siç janë çmimet e ngrira, madje edhe të ulen. Ne pamë që në tregun e perimeve natyrshëm u ulën madje deri 40 për qind nga ato ngrira dhe për parandaj e morëm vendimin për shkrirjen e tyre”, tha zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi.

Vendimi i parë për ngrirjen e çmimeve u mor më 28 shkurt, kur çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë u ngri në 33 denarë, ndërsa më 16 mars Qeveria mori vendim për ngrirjen e çmimeve të disa makaronave dhe produkteve të qumështit. Më 21 mars hyri në fuqi vendimi për ngrirjen e çmimeve të orizit dhe vezëve, ndërsa më 5 prill u ngrinë edhe çmimet e 11 llojeve të frutave dhe perimeve.

Inspektorati Shtetëror i Tregut, nëpërmjet rritjes së kontrolleve në terren, ka kryer kontrolle për respektimin ose mosrespektimin e masave të qeverisë.

Të dhënat e fundit të IShT-së ishin se për një javë janë kryer mbi 170 kontrolle, ndërsa për mosrespektim të çmimeve të ngrira nga ana e inspektoratit janë lëshuar 53 urdhërpagesa në vlerë prej mbi 1,1 milionë denarë.