Serbët vazhdojnë protestat, Kosova e Serbia fajësojnë njëra-tjetrën, liderët evropianë diskutojnë për situatën

Ka nisur për të katërtën ditë radhazi protesta e serbëve në veri të Kosovës. Dhjetëra protestues janë mbledhur para komunës së Zveçanit dhe Leposaviq, ku misioni i KFOR-it ka shtruar masat. Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.

Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”.

Në Leposaviq janë mbledhur një numër i vogël protestuesish serbë. Objektin e komunës është duke e ruajtur Policia e Kosovës, ndërsa forca të KFOR-it nuk janë në terren aktualisht.

Liderët evropianë diskutojnë për situatën

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi, transmeton REL.

“Ne duhet ta shtensionojmë [situatën]. Ne duhet të qetësohemi”, u tha Borrell gazetarëve në Kishinjev të mërkurën në mbrëmje.

“Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Kishinjev për këtë samit.

Osmani tha se Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit.

“Sfida vjen nga Serbia, një vend që ende duhet ta pranojë të kaluarën e tij”, tha Osmani për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Situata është e tensionuar, por ne duhet të sigurohemi që të rivendosim sundimin e ligjit në Kosovë dhe të kuptojmë se kërcënimi vjen nga mohimi i ekzistencës së Kosovës si shtet sovran nga ana e Serbisë”, tha ajo.

Osmani tha se Serbia po mbështet aktivisht “strukturat ilegale” në Kosovë për të destabilizuar vendin nga brenda.

Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.

Kosova e Serbia fajësojnë njëra-tjetrën

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për tensionet në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

“Presidenti Vuçiq duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale nëse ai vërtet dëshiron paqen”, tha ajo. “Ai ende nuk e ka treguar këtë.”

Vuçiq e ka hedhur fajin te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai, të enjten u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte “lëvizja më e fuqishme” për zgjidhjen e krizës.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.

“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.