Bekteshi: Inflacioni në rënie, nga e enjtja nuk ka më çmime të ngrira
Nga e enjtja nuk do të ketë produkte me çmime të ngrira. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se nuk do ta zgjasë masën, e cila skadon të mërkurën, më 31 maj, transmeton Portalb.mk.
“Masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve bujqësore nuk do të vazhdojë, pasi çmimi i disa produkteve tashmë është më i ulët se niveli i vendosur. Inflacioni në sferën e produkteve ushqimore është në rënie të theksuar, ndaj presim që në qershor inflacioni në vend të jetë më i ulët se dhjetë për qind”, tha Bekteshi, pas takimit me ministrin e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinë, Stasha Kosharac.
Bekteshi theksoi se gjendja me çmimet e produkteve është duke u monitoruar, në mënyrë që nëse vërehen keqpërdorime nga tregtarët, do të merren masat e duhura.
“Sipas të dhënave të fundit, inflacioni këtë vit do të jetë nën nivelin e parashikuar. Në sferën e masave të ndryshme, ne bëjmë analiza në baza ditore dhe ato gjithmonë mund të miratohen, këtë sigurisht që do ta bëjmë në bashkëpunim me odat ekonomike”, tha Bekteshi.
Muajt e fundit qeveria ka ngrirë çmimet e bukës, pastave, vezëve, orizit, disa perimeve, frutave, produkteve higjienike dhe produkteve të qumështit.
Qeveria me 25 prill vendosi që marzha e çmimeve të produkteve ushqimore do të jetë e ngrirë deri më 30 qershor të këtij viti.
Qeveria më 28 shkurt miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë. Ndërsa, nga 16 marsi hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.
- LEXO: Në Maqedoninë e Veriut edhe një muaj do të vlen vendimi për ngrirjen e çmimeve te pemët dhe perimet
- LEXO: RMV, kallëzime penale kundër tregtarëve të pemëve dhe perimeve pasi iu shmangën tatimit
- LEXO: Në tregun “Kvantashki” janë sekuestruar mbi 15 ton pemë dhe perime, Qeveria paralajmëroi padi penale
- LEXO: Qeveria e Maqedonisë së Veriut e vazhdoi afatin për çmimet e ngrira