BE kërkoi nga autoritetet e RMV-së urgjentisht t’i zbatojë projektet për menaxhim me mbeturinat në terren

Shefi për bashkëpunim i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Stefen Hudolini e ka përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian deri te institucionet e vendit që urgjentisht të fillojnë me zbatim praktik të projekteve për menaxhim me mbeturinat në terren. Hudolini sot porositi se BE për vendin ka ndarë mjete të konsiderueshme për mjedisin jetësor, veçanërisht në pjesën për menaxhim me mbeturinat, njofton Portalb.mk.

“Por, ngecim me zbatimin. Urgjentisht i ftojmë institucionet të punojnë për zbatimin e projekteve, që të njëjtat të realizohen me sukses në terren dhe që të kemi efekte të dukshme në menaxhimin me problemin serioz të menaxhimit me mbeturinat në Maqedoninë e Veriut”, tha Hudolini.

Ai, bashkë me ministren e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit hapësinor, Kaja Shukova sot ishin në ngjarjen zyrtare për fillimin e projektit “Mbështetje në menaxhimin e legjislativit për menaxhim me mbeturinat dhe skemës për përgjegjësi të zgjeruar të prodhimtarit”, i cili financohet nga BE me 1 milion euro. Nëpërmjet këtij projekti, duhet që të harmonizohet legjislativi i RMV-së me atë të BE-së.

Ministrja, Kaja Shukova, thotë se në kuadër të projektit, me ndihmën e administratave të Hungarisë dhe Austrisë si partnerë tanë do të përmirësohet zbatimi i ligjeve në pjesën e menaxhimit me mbeturinat.

Ajo shtoi se me harmonizimin e legjislativit në pjesën e përgjegjësisë së zgjeruar, duhet që seriozisht të punohet në pjesën e zvogëlimit të sasisë së mbeturinave të cilat përfundojnë në deponi. BE nëpërmjet projektit më të ri i ndihmon vendit të jetë më mirë e përgatitur për harmonizimin me rregullativën evropiane kur bëhet fjalë për menaxhimin me mbeturinat dhe riciklimin.

Përndryshe, reagimet e Hudolini vijnë fillimisht pas zvarritjes së projektit për ndërtimin e deponisë moderne rajonale sipas standardeve të BE-së për Rajonin Lindor dhe Verilindor, si projekt i cili tërësisht financohet nga BE me mjete të pakthyeshme. Reagimi i këtillë për ndërtimin e ngadaltë të deponive rajonale u theksua edhe në Raportin e fundit për progresin reformues të Maqedonisë së veriut në rrugën drejt BE-së për vitin 2022 të Komisionit Evropian, në të cilin kërkohej nga autoritetet e RMV-së që këtë vit të përkushtohen në këtë projekt.

Ministria e Mjedisit jetësor në mes të prillit të këtij viti vendosi që t’ia marrë kompetencat Komunës së Sveti Nikoles dhe kryetari Dejan Vlladev, për menaxhim me ndërmarrjen publike e cila duhet të udhëheqë me deponinë e ardhshme rajonale dhe gjashtë stacioneve ngarkuese. Vendimi i Ministrisë vijon pasi që Komuna dhe kryetari nuk e kanë pranuar lokacionin e parashikuar në të cilin duhet të ndërtohet deponia rajonale në fshatin e Ovçepoles, Meçkuevci, gjegjësisht e kanë frenuar realizimin e projektit.

Prej kësaj ministrie në prill informuan se procedura tenderiale për zgjedhjen e kompanisë që do ta ndërtojë deponinë rajonale për rajonin Lindor dhe Verilindor duhet të mbarojë deri në fund të vitit, ndërkaq prej vitit të ardhshëm të fillojë me aktivitete ndërtimore. Nga Ministria, informuan se dokumentacioni urbanistik-planor është hartuar dhe është në fazën e kontrollit në Ministri, pas çka do të dorëzohet për miratim në Ministrinë e Financave dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.