Ligji për përfaqësim të drejtë i bllokuar në Kuvend: Sali kërkon mbështetje, Dauti e fton në debat
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të jetë i bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se opozita e kundërshton propozim-ligjin për shkak se ai vjen nga VLEN-i, ndërsa hedh poshtë akuzat se ligji është në dëm të shqiptarëve. Ai kërkoi mbështetjen e të gjitha partive politike për miratimin e tij. Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, kërkoi që të votohet propozim-ligji i tyre dhe e ftoi Salin në debat për t’i ballafaquar të dy propozimet, shkruan Portalb.mk.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë tani e disa muaj mbetet i bllokuar në Kuvend. Në një deklaratë për Portalb.mk, zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se nuk pajtohet me pretendimet e opozitës se propozim-ligji i Qeverisë është në dëm të shqiptarëve. Sipas tij, opozita e kundërshton atë vetëm për shkak se është propozuar nga VLEN-i.
“Reagimet se ky ligj është i dëmshëm për shqiptarët nuk janë të qëndrueshme, sepse i bie se mungesa 25-vjeçare e këtij ligji ka qenë më e mirë ose, aq më keq, që ky propozim-ligj të refuzohet vetëm sepse nuk e bënë ata që sot janë në opozitë dhe sepse po e bën VLEN-i”, tha Sali.
Sipas tij, në interes të shqiptarëve është që ligji të miratohet, në mënyrë që përfaqësimi i drejtë të mos varet nga vendimet e përkohshme administrative apo nga vullneti politik i momentit.
“Interesi i shqiptarëve, por edhe i të gjithë qytetarëve, është që ky ligj të miratohet. Ne synojmë që kështu të drejtat e garantuara të mos varen më nga vendimet e përkohshme administrative apo nga vullneti politik i momentit”, deklaroi ai.
Sa i përket procedurës në Kuvend, Sali kërkoi që të gjitha partitë politike të kontribuojnë në miratimin e këtij ligjit.
“Presim që të gjitha subjektet politike të tregojnë përgjegjësi e maturi dhe të kontribuojnë në miratimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme”, theksoi Sali.
Dauti kërkon që të votohet propozim-ligji i tyre
Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, kërkon që të thirret seanca e 105-të plenare e Kuvendit dhe të votohet propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin e kanë dorëzuar ajo së bashku me deputetët e partisë.
“Ju sugjerojmë të hapin sërish pikën 23 të rendit të ditës të seancës së 105-të plenare, ku i kanë argumentet e formuluara në një Propozim-ligj konkret për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të propozuar nga deputetët Ziadin Sela, Ilire Dauti dhe Elmi Aziri. Duhet ta thërrasin seancën dhe ta votojmë atë… Edhe pse ua kemi dërguar propozimin për t’iu bashkëngjitur nismës, ata nuk e kanë bërë këtë. Pyetjes pse nuk e kanë bërë, duhet t’i përgjigjen vetë”, tha Dauti për Portalb.mk.
Gjithashtu, Dauti e ftoi Salin në debat, ku do të ballafaqonin propozim-ligjin e opozitës me atë të Qeverisë.
“E ftojmë zëvendëskryeministrin Bekim Sali në një debat publik për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ku të ballafaqojmë propozimin tonë me ligjin e tyre. Le të zgjedhë vetë mediumin dhe vendin ku dëshiron të zhvillohet debati. Ne jemi të gatshëm të përballemi me argumente”, u shpreh Dauti.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Gjatë shqyrtimit në Kuvend, opozita kërkoi që ligji të përmbajë kuota etnike dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë atë. Në qershor, partitë opozitare dorëzuan 31 amendamente, ndërsa Lidhja Shqiptare paraqiti edhe një propozim-ligj të veçantë. Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend vendosi që propozim-ligji i Qeverisë të kalojë me shumicë të dyfishtë të thjeshtë, të njohur si “Badenteri i vogël”. Ndërkaq, më 16 korrik, propozim-ligji nuk u vu në votim në seancën plenare dhe procedura mbeti pa epilog.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: BDI-ja dhe VLEN-i u përplasën për Ligjin për përfaqësim të drejtë
- LEXO: Zyrtare: Në Maqedoninë e Veriut nuk do të merret më parasysh përkatësia etnike gjatë punësimeve, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi “Balancuesin”