Liqeni i Treskës mes premtimeve të parealizuara dhe labirinteve institucionale, Elmazi paralajmëroi zgjidhjen e çështjes së pronësisë

Pas shumë viteve pritje dhe premtime të paraealizuara për revitalizimin e Liqenit të Treskës, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, thotë se kanë filluar procedurat për kthimin e pronësisë së hapësirës ku ndodhet liqeni në Komunën e Sarajit. Bëhet fjalë për mbi 80 hektarë tokë, ndërsa Elmazi pret që procedura të përfundojë brenda dy javëve të ardhshme, transmeton Portalb.mk.

Sipas Elmazit, hapësira ku ndodhet Liqeni i Treskës aktualisht është pronë e Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, e cila është në kompetencë të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Ai tha se kanë filluar procedurat që pronësia t’i kthehet Komunës së Sarajit, e cila më pas do të menaxhojë me këtë hapësirë.

“Liqeni i Treskës, apo hapësira ku ndodhet Liqeni i Treskës, mbi 80 hektarë, është pronë e Agjencisë për Mbështetje dhe Promovim të Turizmit, që është nën kompetencat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Kemi filluar procedurat për ta rikthyer pronësinë, në mënyrë që me Liqenin e Treskës të menaxhojë Komuna e Sarajit. Shpresoj që në javët në vijim, në dy javët e ardhshme, pronësia të rikthehet në kuadër të Komunës së Sarajit, e cila do të menaxhojë me Liqenin e Treskës”, tha Elmazi për Alsat.

Ai shtoi se pas përfundimit të procedurës për pronësinë do të shqyrtohen edhe hapat e tjerë për zhvillimin e kësaj hapësire.

“Më pas do t’i shohim procedurat e tjera, me të vetmin qëllim që gjatë mandatit tonë të fillojë revitalizimi i Liqenit”, deklaroi Elmazi.

Paralajmërimi i Elmazit vjen në një kohë kur projekti për zhvillimin e zonës turistike “Saraj-Liqeni i Treskës” vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa ende ka paqartësi për vzhdimin e procedurave institucionale.

Rikujtojmë se Qeveria e shpalli zonën “Saraj-Liqeni i Treskës” zonë zhvillimore turistike në vitin 2021, ndërsa në vitin 2023 ndryshoi vendimin për themelimin e saj. Megjithatë, projekti nuk u realizua.

Në raportin e publikuar në qershor të vitit 2025, Enti Shtetëror i Revizionit evidentoi pengesa ligjore dhe administrative në procesin e zhvillimit të zonës turistike. Në raport thuhet gjithashtu se Qeveria nuk kishte dhënë udhëzime të mëtejshme për vazhdimin e procedurës.

Paqartësitë rreth përgjegjësive institucionale u shtuan edhe pas shuarjes së Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit. Me ndryshimet ligjore të miratuara në korrik të vitit 2025, Agjencia pushoi së funksionuari si institucion i pavarur. Megjithatë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit i tha më herët Portalb.mk se kompetencat për zonën turistike “Saraj-Liqeni i Treskës” nuk i janë bartur këtij institucioni.

Nga Ministria sqaruan se Qeveria ka formuar grup pune për përgatitjen e një ligji të ri për zonat zhvillimore turistike. Megjithatë, nuk dhanë informacione se kur pritet të përfundojë përgatitja e ligjit dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm për zonën e Liqenit të Treskës.

Edhe zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se nuk ka informacione për ecurinë e përgatitjes së ligjit dhe afatin kur pritet të miratohet.

Për ligjin e ri ka folur edhe ish-ministri i Kulturës dhe Koordinatori Nacional për Kulturë në Qeveri, Zoran Lutkov. Ai i tha Portalb.mk se përgatitja e ligjit i ishte besuar Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë. Megjithatë, ky institucion nuk iu përgjigj pyetjeve të Portalb.mk se a do të përfshihet Liqeni i Treskës në këtë ligj dhe deri ku ka arritur procedura për përgatitjen e të njejtit.

Ndër vite, revitalizimi i Liqenit të Treskës është premtuar nga kryetarë të ndryshëm të Komunës së Sarajit dhe nga partitë politike. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025, premtime për ringjalljen e kësaj hapësire dhanë edhe VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Pas marrjes së mandatit, Elmazi kishte premtuar se brenda gjashtë muajve do të qartësohej se çfarë duhej të ndërmerrej për zhvillimin e Liqenit. Ai kishte përmendur edhe interesimin e biznesmenit Samir Mane për të investuar në këtë kompleks. Megjithatë, nga kompania e tij, “Balfin Group”, për Portalb.mk kishin deklaruar se ende nuk kishte asgjë konkrete.

Kujojmë se Liqeni i Treskës u ndërtua në vitin 1978 me vetëkontributin e banorëve të Shkupit. Me një sipërfaqe prej 136.000 metrash katrorë dhe kapacitet për rreth 10.000 vizitorë, gjatë viteve 1980 dhe 1990 ishte një nga vendet më të frekuentuara për pushim gjatë verës. Përreth tij kishte shtëpiza, kafene, restorante, pishina, fusha sportive dhe hapësira të tjera për vizitorët.

Liqeni funksionoi për rreth 20 vjet. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit, u mbyll për not. Pas kësaj filloi edhe degradimi gradual i hapësirës. Pas vitit 2000, zona mbeti kryesisht e braktisur, ndërsa objektet përreth filluan të dëmtohen.