Raporti i autopsisë së Vanjës së vdekur, nuk është ende gati

Raporti i autopsisë për 14-vjeçaren Vanja Gjorçevska ende nuk është gati dhe nuk është dorëzuar në prokurori, konfirmojnë nga Prokuroria Publike, shkruan Portalb.mk.

Nga aty shtojnë se janë në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të të dhënave me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Maqedonisë së Veriut.

Më tepër detaje për analizat dhe kontrollet që po bëhen, nuk bëhen të ditura për publikun për shkak të hetimit.

“Veprimet e të gjithë të përfshirëve janë aktualisht nën hetim, për të cilat mblidhen çdo ditë provat verbale dhe materiale dhe krahasohen me njëra-tjetrën. Prokuroria Publike apelon që gjatë hetimeve të mos shpërndahen informacione të pa verifikuara që mund të dëmtojnë procedurën, por edhe të shqetësojnë më tej opinionin publik”, thanë nga Prokuroria Publike.

Kronologjia e ngjarjes tragjike

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së.
28 nëntor Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për të.

2 dhjetor u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjet që kishte lidhje me zhdukjen e saj.

3 dhjetor u bë publike se është gjetur trupi i saj i pajetë. Gjithashtu, u lajmërua se u gjet i pajetë dhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në të njejtën ditë u caktua paraburgim 48 orësh për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski ndërsa u bë e ditur se organizatori kryesor dhe kryerësi i vrasjes, Ljupço Palevski ishte arratisur. 

4 dhjetor, në konferencë për shtyp Prokuroria dhe MPB dhanë detaje për rastin i cili ende hetohej, në të cilën u hodhën dyshime për përfshirjen e babait të saj Aleksandar Gjorçev. Motivi i vrasjeve thanë që është “interes financiar”. Në të njejtën ditë u shpall fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli për Ljupço Palevskin. Më vonë u paraburgos dhe babai i saj.

5 dhjetor, Prokuroria Publike konfirmoi se autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes. Në të njejtën ditë u paraburgos dhe Stefan Dimkovski nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi. Ky i fundit u arrestua në Turqi, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq u caktua paraburgim 30 ditor për  Vllatko Keshishov, Velibor Manevski, Bore Videvski dhe Aleksandar Gjorçev dhe 48 orë për transportuesin e Pallços.

6 dhjetor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit. U publikuan të dhëna nga biografia e Palevskit, e pasur me krime të pandëshkuara, si dhe për ndihmësit e tij, të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”.

7 dhjetor, u dërgua në Truqi kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe u caktuan 30 ditë paraburgim për shoferin e Palevskit, Stefan Dimkovski.

10 dhjetor, Prokuroria apeloi që mos të spekulohet në media dhe rrjete sociale sepse raporti i autopsisë së Vanjës, nuk është ende gati.