Porosia e Avokatit të Popullit për Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut: Secili ka të drejtë të jetojë jetë normale
Dispozitat e Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, nuk janë vetëm fjalë të shtypura. Këto janë drejtimet për lëvizjen e shoqërive. Çdokush ka të drejtë të jetojë një jetë normale, tha Avokati i Popullit Naser Ziberi me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, shkruan Portalb.mk.
Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut, porositi një mesazh për të gjithë shoqërinë meqënëse sot shënojmë 75 vjet nga miratimi i Deklaratës universale për të drejtat e njeriut,.
“Në vitin në të cilin shënojmë 75 vjetorin e miratimit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, dokument që ishte i pashmangshëm pas traumës më të madhe të cilën e përjetoi bota – Luftën e dytë botërore, dua të bëj një apel, një mesazh për të gjithë faktorët e shoqërisë. Dispozitat e kësaj deklarate nuk janë vetëm fjalë të shtypura. Këto janë drejtimet për lëvizjen e shoqërive. Bëni përpjekje maksimale që çdo fjalë e shkruar të zbatohet në jetën e përditshme”, thuhet në njoftimin e Ziberit.
Ai gjithashtu shtoi se shteti ekziston për shkak të qytetarëve, e jo e kundërta.
“Prandaj në çdo rast, çdo qytetar pa dallim se cilës kombësi i takon, cila është ngjyra e lëkurës së tij, çfarë gjuhe flet, kush ju drejtohet, dëgjojeni, kushtojuni, dhe mundësoni atij të realizojë të drejtën e garantuar me kushtetutë dhe ligj. Bëhet fjalë për jetë dhe fate njerëzore dhe askush nuk ka të drejtë të luajë me to. Këtë e dimë shumë mirë ne mbrojtësit e lirive dhe të drejtave të njeriut sepse e shohim çdo ditë në punën tonë.”, tha Ziberi.
Ai gjithashtu tha me keqardhje se edhe pas 75 vitesh, bota vazhdon të përballet me konflikte për shkak të të cilave miliona njerëz detyrohen të lënë shtëpitë e tyre, të jetojnë në kushte johumane
“Veçanërisht po vuajnë fëmijët të cilët janë në fillimet e jetës së tyre dhe të cilët për fat të keq, për interesat e dikujt nuk po arrijnë të përjetojnë të gjithë atë që quhet fëmijëri normale – shkuarja në shkollë, dreka familjare, darka, miqësia dhe ngjashëm. Prandaj bota doemos duhet të bashkohet dhe urgjentisht duhet t’i zgjidhë këto konflikte. Secili ka të drejtë të jetojë një jetë normale” thuhet në porosinë e Avokatit të Popullit.