Qeveria e RMV-së aprovoi projekte urbanistike për akset rrugore Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçani, pjesë e Korridorit 8

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 195-të solli vendime për aprovim të projekteve urbanistike për akset rrugore Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçani, të cilët janë pjesë e Korridorit 8, njofton Portalb.

“Qeveria e aprovoi Projektin urbanistik për ndërtime me interes strategjik për ndërtim të Korridorit 8 rrugor, aksi i autostradës Tetovë-Gostivar. Në këtë fazë, lëndë e këtij Projekti urbanistik janë 15.4 km nga gjatësia e përgjithshme. Pjesa tjetër e trasesë do të jetë lëndë e projekteve urbanistike shtesë. Gjatësia e përgjithshme e aksit të autostradës Tetovë-Gostivar është rreth 17.5 km”, informuan pasditen e sotme nga pres-shërbimi qeveritar.

Me projektin urbanistike për aksin e autostradës Gostivar-Bukojçani janë përfshirë 8,43 kilometra nga gjatësia e përgjithshme, ndërsa pjesa e mbetur do të përpunohet në fazat e ardhshme të projektimit. Gjatësia e përgjithshme e aksit të autostradës Gostivar-Bukojçani është rreth 30,4 kilometra.

“Këto projekte urbanistike janë përpunuar në pajtueshmëri të Ligjit për planifikim urbanistik, Rregullores për planifikim urbanistik dhe rregullativës tjetër ligjore, e cila është relevante për procesin projektues dhe realizim të projektit”, thonë nga Qeveria.

 

Ndërtimi i Korridorit 8 për RMV-në për momentin është investim më i leverdishëm nga Korridori rrugor 10. Të dhënat nga numërimi i automjeteve në segmentet rrugore të këtyre dy korridoreve që kalojnë nëpër vendin tonë tregojnë se në rrugët prej Shkupit deri në kufirin me Shqipërinë ka frekuencë më të madhe të automjeteve se nga Korridori rrugor 10.

 1 qershor në formë simbolike në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Ndërkaq, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për Transport dhe Lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore.

Rikujtojmë se Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027.

Ndryshe, ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D nga “Bechtel dhe Enka” kërkon rreth dy mijë punëtorë nga fusha të ndryshme.