Shqiptarët shënojnë 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit

Shqiptarët anembanë botës shënojnë 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit. Me rastin e kësaj feste, janë organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike, ndërsa epiqendra e festimeve pritet të jetë Vlora, qyteti ku më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, shkruan Portalb.mk.

Shpallja e Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, duke kurorëzuar përpjekjet shumëvjeçare për liri dhe mëvetësi.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, 28 Nëntori shënohet me një sërë manifestimesh kulturore, koncerte, akademi solemne dhe programe artistike.

Në Shkup, manifestimi qendror i organizuar nga Komuna e Çairit është paraparë të mbahet në orën 14 në sheshin “Skënderbeu”, ku njëherësh shënohet edhe 20-vjetori i vendosjes së shtatores së heroit kombëtar. Programi përfshin interpretime poetike nga aktori Çun Lajçi dhe koncertin festiv të këngëtares Edona Llalloshi.

Në Tetovë, festimet do të zhvillohen me marshin festiv “Flamuri na bashkon”, në orën 12, ndërsa në orën 15 në Qendrën e Kulturës do të mbahet një program artistik me pjesëmarrjen e fëmijëve.

Në Gostivar, pas manifestimit në sheshin e qytetit, aktivitetet festive vazhdojnë me koncertin e organizuar në Qendrën e Kulturës “ASNOM”, në orën 18.

Në Strugë, festat e Nëntorit shënohen me akademi solemne, ekspozita dokumentare dhe Javën e Filmit Shqiptar. Aktivitete festive janë paralajmëruar edhe në Dibër.

Në Kërçovë, Likovë dhe Vrapçisht, në kuadër të festave të Nëntorit, janë organizuar programe kulturore dhe manifestime me pjesëmarrjen e nxënësve, të rinjve dhe shoqatave kulturore.

28 Nëntori shënon gjithashtu ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 Redaksia e Portalb.mk të gjithë shqiptarëve anembanë botës ua uron 28 Nëntorin, ditën e flamurit tonë kombëtarë shqiptar.