VLEN nga pozita iu është përgjigjur akuzave të sotme të BDI-së e cila tha se Korridori 8 po sakrifikohet në favor të Korridorit 10D, transmeton Portalb.mk.
Nga VLEN akuzat e BDI-së i kanë konsideruar propadanduese.
“Tani paskan nxjerrë edhe një matematikë të re, “4 me 1”. Shifra të mbledhura kushedi në cilën kafe të partisë. Opozita po i gërryen keq, andaj nga dëshpërimi kanë filluar të bredhin kantier më kantier, duke numëruar bagerët për të parë se ku po punohet më shumë. Në vend që të bëjnë zhurmë si tenxhere boshe dhe ta fusin NATO-n në propagandën e tyre, le të nxjerrin ndonjë dokument me të cilin e mbështesin trillimin 4 me 1”, thanë nga VLEN.
Ata theksuan se në Korridorin 8 po punohet aktivisht.
Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar përmes një kumtese sot më herët tha se se informacionet e reja që po dalin për projektin më të madh infrastrukturor në vend, Korridoret 8 dhe 10D, janë alarmante.
“Sipas informacioneve që disponojmë, në terren po punohet me raport pothuajse 4 me 1 në favor të Korridorit 10D, Prilep–Manastir, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e realizimit janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.
Korridori hekurudhor 8 është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit trans-evropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për Ballkanin dhe Evropën. Ai e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.