BDI: Korridori 8 po sakrifikohet për zgjedhje, favorizohet Korridori 10D

Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar përmes një kumtese thotë se informacionet e reja që po dalin për projektin më të madh infrastrukturor në vend, Korridoret 8 dhe 10D, janë alarmante, transmeton Portalb.mk.

“Sipas informacioneve që disponojmë, në terren po punohet me raport pothuajse 4 me 1 në favor të Korridorit 10D, Prilep–Manastir, ndërsa mekanizimi, fuqia punëtore dhe dinamika e realizimit janë zhvendosur në dëm të Korridorit 8”, thonë nga BDI.

Nga aty theksojnë se të dyja segmentet janë pjesë e të njëjtit projekt ndërsa sot Qeveria po e ndryshon në praktikë prioritetin e projektit.

“Për shkak të urdhrit politik që Korridori 10D të përfundojë deri në zgjedhjet e ardhshme në pranverë, që pushteti ta përdorë si projekt elektoral. Nëse kjo konfirmohet, kemi të bëjmë me një skandal të rëndë: para, punëtorë dhe mekanizim të një projekti shtetëror po orientohen sipas kalendarit zgjedhor të partive në pushtet”, thanë nga BDI.

Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.

Korridori hekurudhor 8 është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit trans-evropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për Ballkanin dhe Evropën. Ai e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.