Rona Nishliu solli në Shkup vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare

Në shënimin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar shqiptar, këngëtarja e njohur shqiptare Rona Nishliu, e shoqëruar nga formacioni muzikor “New Orchestra”, mbajti mbrëmë koncert në Filharmoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup shkruan Portalb.mk.

Me vokalin e saj karakteristik dhe interpretimin e këngëve nga repertori i saj artistik, Nishliu i dhuroi publikut një mbrëmje të veçantë muzikore.

Ndërthurja e muzikës tradicionale shqiptare me elemente të xhazit dhe muzikës bashkëkohore i dha koncertit një dimension të veçantë artistik, duke sjellë në skenë vlerat e trashëgimisë sonë muzikore në një frymë moderne.

Foto nga koncerti i Rona Nishliut në Shkup. Foto: Portalb.mk
Foto nga koncerti i Rona Nishliut në Shkup. Foto: Portalb.mk

Rona Nishliu është një nga emrat më të spikatur të skenës muzikore shqiptare, e cila në vitin 2012 përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, duke u renditur në vendin e pestë me këngën “Suus”.

Koncerti i saj në Shkup ishte një nga aktivitetet e shumta kulturore dhe artistike që po zhvillohen në kryeqytet me rastin e festave të Nëntorit.

Mbrëmja muzikore u organizua nga Komuna e Çairit, në kuadër të manifestimit tradicional “Çairi feston Nëntorin”, që këtë vit shënon edhe 20-vjetorin e vendosjes së monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shkup.

Foto nga koncerti i Rona Nishliut në Shkup. Foto: Portalb.mk
Foto nga koncerti i Rona Nishliut në Shkup. Foto: Portalb.mk