Rruga Shkup-Bllacë mes premtimeve dhe realitetit: Makineritë arritën, punimet pritet të nisin nesër
Pas disa paralajmërimeve të parealizuara dhe shtyrjeve të vazhdueshme, në terren sot më në fund janë vendosur makineritë dhe zyrat e kompanisë “Granit”, e kontraktuar për ndërtimin e segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë. Megjithatë, punimet konkrete ndërtimore ende nuk kanë filluar. Zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Tahir Tahiri, për Portalb.mk deklaroi se vendosja e makinerive dhe përgatitja e terrenit llogariten si nisje e punimeve, ndërsa punët ndërtimore pritet të fillojë nesër, më 27 tetor,
Ekipi i Portalb.mk vizitoi sot sërish vendin ku është vendosur gurthemeli për ndërtimin e këtij segmenti. Në terren, makineritë tashmë janë vendosur, ndërsa punëtorët po përgatisnin zyrat dhe hapsirën e punës. Megjithatë, punimet ndërtimore ende nuk kanë filluar.
Zëvendësdrejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Tahir Tahiri tha për Portalb.mk se kompania “Granit” sot ka sjellë makineritë dhe ka vendosur zyrat në terren. Sipas tij, këto aktivitete llogariten si fillim i punimeve, ndërsa puna konkrete ndërtimore pritet të nisë nesër.
“Sot kompania kontraktuese “Granit” ka dërguar makineritë në vendin ku është vendosur gurthemeli dhe ka vendosur zyrat. Sipas kompanisë, kjo është vetëm se fillimi i nisjes së punimeve dhe nesër pritet që punëtorët vetëm të nisin punën. Do të thotë se ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë ka filluar”, tha Tahiri.
Portalb.mk kërkoi sqarime edhe nga kompania “Granit” lidhur me aktivitetet e sotme dhe fillimin e punimeve. Nga kompania kërkuan që pyetjet t’u dërgohen me email dhe premtuan përgjigje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.
Edhe më herët, për këtë projekt disa herë ishte paralajmëruar nisja e punimeve, por ato nuk filluan sipas paralajmërimeve.
Zekolli fillimisht e paralajmëroi nisjen e punimeve, pastaj e mohoi
Më 14 tetor, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, i tha Portalb.mk se punimet në terren do të fillonin të nesërmen, më 15 tetor.
“Po, po, e vërtetë, nesër fillon ajo pjesa e realizimit të punimeve. Jo se deri tani nuk është punuar, por është punuar në aspektin teknik dhe tani fillon vetëm puna në terren”, deklaroi atëherë Zekolli-Shaqiri.
Megjithatë, më 15 tetor, ekipi i Portalb.mk vizitoi vendin ku ishte vendosur gurthemeli, por nuk gjeti makineri apo punëtorë në terren.
E pyetur pse punimet nuk kishin filluar, Zekolli-Shaqiri mohoi se kishte paralajmëruar nisjen e tyre për atë ditë. Ajo tha se kishte njoftuar për një takim të Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” me palët e përfshira në projekt.
Në të njëjtën ditë, zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Tahir Tahiri, i tha Portalb.mk se gjatë takimit me kompaninë “Granit” ishte arritur marrëveshje që punimet të fillonin më 26 tetor.
“Po, kishim një takim sot me kontraktorin, konkretisht me ‘Granitin’. U dakorduam që, bashkë me firmën që e mbikëqyr projektin dhe me sektorin e komunikacionit, punimet të fillojnë më 26 tetor”, deklaroi Tahiri.
Projekti zvarritet me vite
Kujtojmë se dokumentacioni i parë projektues për autostradën Shkup–Bllacë u përgatit në vitin 2022. Ndërtimi i segmentit të parë, rreth dy kilometra i gjatë, nisi në maj të vitit 2020 dhe ka përfunduar, por ende nuk është vënë në përdorim për shkak të mungesës së lidhjes funksionale me pikën kufitare.
Gurthemeli për segmentin e dytë të autostradës Shkup-Bllacë u vendos më 26 gusht 2026, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesve të institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këtë rast, u paralajmërua se punimet për 10.5 kilometrat e fundit do të përfundonin brenda katër vjetësh.
Autostrada Shkup-Bllacë ka gjatësi të përgjithshme prej rreth 12 kilometrash dhe është ndarë në dy segmente. Segmenti i parë, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, u ndërtua gjatë gjashtë vjetëve. Ndërkaq, segmenti i dytë, me gjatësi prej 10.5 kilometrash, pritet të kushtojë rreth 222 milionë euro, përfshirë shpenzimet për mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe mirëmbajtje.
Kontrata për ndërtimin e segmentit të dytë i është dhënë kompanisë vendore të ndërtimit “Granit”, e cila është përzgjedhur si realizuese e projektit. Kompania ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e segmentit të parë të autostradës.
Për financimin e segmentit të dytë është siguruar një kredi prej 167.6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant prej rreth 30.8 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Pjesa tjetër e financimit duhet të sqarohet sipas strukturës së plotë financiare të projektit.
Projekti parasheh ndërtimin e pesë tuneleve me dy tuba, tetë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse, për shkak të terrenit të vështirë kodrinor dhe malor.
Projekti është shoqëruar edhe me përplasje politike lidhur me koston dhe historikun e tij. Nga BDI-ja kanë kritikuar Qeverinë për promovimin e projektit si sukses të saj, duke pretenduar se përgatitjet, projektimi dhe sigurimi i financimit janë zhvilluar më herët, kur kjo parti ishte pjesë e Qeverisë. Në të kaluarën, edhe përfaqësues të pushtetit aktual e kishin kritikuar projektin për koston dhe realizueshmërinë e tij.