Protestuesit kundër mësimit shqip në Çashkë

Protestuesit kundër mësimit shqip në Çashkë sulmuan ekipin e televizionit Alsat. Përderisa ekipi i televizionit Alsat ishte duke kryer detyrën, përkatësisht duke ndjekur revoltën e banorëve, protestuesit filluan të fyejnë kameramanin dhe gazetarin në baza etnike. Madje oborrin e komunës e konsideronin si pronën të veten dhe kërkonin që ekipi i Alsat të largohej nga aty, raporton Alsat.

Përveç banorëve-protestues, punën e ekipit të Alsat tentoi ta pengojë edhe një i punësuar në Komunën e Çashkës. Ai nuk lejonte që gazetari të merrte deklaratë nga kreu i Çashkës.

Pas përpjekjeve të ekipit tonë, takuam kreun e komunës së Çashkës, Goran Stojanovski, i cili madje kërkoi falje publike për ngjarjen.

“Unë fillimisht kërkoj ndjesë për shqetësimet që i kishit, komuna e Çashkës dhe unë çdo here jemi të hapur për deklarata dhe kjo do të vazhdoje edhe në të ardhmen sepse qytetaret duhet të dinë vetëm të vërtetën”, deklaroi Goran Stojanovski – Kryetari i Komunës së Çashkës.

Për pengimin e punës së ekipit të televizionit Alsat nëÇashkë reaguan Shoqata e Gazetareve dhe Sindikata e Pavarur e Punonjësve Mediatik. Kërkuan sqarime nga komuna e Çashkës se përse ekipi i Alsat u pengua që të hyjë në objekt publik.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik kërkojnë shpjegim nga komuna lidhur me pengimin e hyrjes së ekipit gazetaresk në një institucion publik. Duam të theksojmë qartë se qëndrimi ndaj gazetarëve dhe mediave që punojnë në terren është i një rëndësie kritike për lirinë e shprehjes dhe të informimit në një shoqëri demokratike. Dhuna dhe pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrës profesionale është e papranueshme, nuk është në përputhje me vlerat demokratike dhe kontribuon në censurë”, thuhet në reagimin e SHGM-SPPM.

Në gjashtë vitet e fundit, gazetarët dhe punonjësit e mediave janë përballur me sulme të shumta fizike dhe verbale. Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, për kërcënimet me jetë ndaj punonjësve mediatik, parashihet gjobë ose dënim me deri në 6 muaj burg për sulmuesin. Nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Në rast se ndaj këtyre personave ushtrohet dhunë, atëherë dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vite.

Ndryshe, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ka dorëzuar një shkresë ku thuhet se janë plotësuar kushtet për themelimin e paraleles në gjuhën shqipe dhe kërkon ndryshimin e statutit të shkollës. Ministri për arsim dhe shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, ka alarmuar që në dy shkolla pengohet zhvillimi i procesit edukativ e arsimor në gjuhën amtare, ajo në komunën e Gazi Babës dhe Çashkës.

Nxënësit e shkollës “Njegosh” në Idrizovë të Gazi Babës, në fund të muajit nëntor kanë filluar me mësim në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair. Ndërkohë javëve të fundit është riaktualizuar çështja e protestave në Çashkë për pengimin e hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Todor Janev”. Prej 24 nëntorit, po organizohen protesta të herëpashershme.