Mickoski shpalosi emrat e VMRO-DPMNE-së për qeverinë teknike

Ministri për Punë të Brendshme në qeverinë teknike, me propozim të VMRO-DPMNE-së, do të jetë Pançe Toshkovski. Këtë njoftime dha kryetari i partisë, Hristijan Mickoski në intervistën e dhënë për TopTema në TV Tema, raporton Portalb.mk.

Ministri i dytë me propozim të opozitës në qeverinë teknike do të jetë Gjoko Velkovski, në resorin për punë dhe politikë sociale.

Stefan Andonovski do të jetë propozim për ministër për shoqëri informatike dhe administratë, ndërsa Cvetan Tripunovski në ministrinë për bujqësi.

Toshkovski është avokat me profesion, vjen nga Velesi, ndërsa në të kaluarën ka punuar në Elektranat e Maqedonisë së Veriut, kur në krye të saj ishte Mickoski. Ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm në Qytetin e Shkupit, por u shkarkuar nga kryetarja Danela Arsovksa.

Javën e ardhshme Xhaferi duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në vend të tij të zgjidhet koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Qeveria teknike duhet të zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve, pra deri më 28 janar. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të jetë më 24 prill.

Në seancën e Kuvendit do të duhet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili do të jetë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Zgjedhja e qeverisë së Xhaferit duhet të bëhet këtë fundjavë, jo më vonë se mesnata e 28 janarit. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.