Ministria e ndryshoi vendimin, shkollat në Maqedoninë e Veriut nuk do të punojnë të shtunën

Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të punuar të shtunën për të kompensuar orët e humbura ditëve të zgjedhjeve, u anulua sot, transmeton Portalb.mk.

“Mësimi për  ditët e votimit, 24 prill dhe 8 maj, si dhe 30 nëntor kur u organizua Samiti i OSBE-së në Shkup, do të kompensohen në ditët e punës dhe jo të shtunave”, sqaroi Ministria.

Në bazë të rekomandimit të Ministrisë, drejtorët e shkollave duhet të organizojnë procesin arsimor brenda ditëve të punës, ashtu që të kompensohen orët e humbura.

Ministria përkujtoi që 10 qershori është dita e fundit për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa 17 qershori për nxënësit e shkollave fillore.

18 prill, Jakim Nedelkov, kryetari i Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për zhvillimin e procesit arsimor edhe ditën e shtunë. Ministria paraprakisht kishte vendosur që dy të shtuna të jenë ditë pune në shkollat e Maqedonisë së Veriut për shkak zgjedhjeve, ndërsa një e shtunë tjetër të jetë ditë pune vetëm për shkollat e Shkupit, për shkak konferencës ndërkombëtare të OSBE-së që u mbajt në Shkup më 30 nëntor.

Maqedonia e Veriut ka përcaktuar 24 prillin dhe 8 majin, dy datat për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Gjatë këtyre dy ditëve nuk do të zhvillohet mësimi në shkolla, ndërsa në ditët paraprake mësimi do të zhvillohet prej orës 07:00 deri në ora 11:00.