Banorët e Çashkës vazhdojnë protestën kundër paraleles shqipe, ministri ndodhet atje për vizitë

Dhjetëra banorë të Komunës Çashkë të Velesit po protestojnë para objektit të komunës duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për hapjen e paraleles shqipe për klasën e parë në shkollën fillore “Todor Janev” të kësaj komune, shkruan Alsat.

Protesta u zhvendos para objektit komunal për shkak se në këto momente në vizitë ka ardhur ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Sipas Shaqirit, vizita ka për qëllim që banorëve të Çashkës t’u bëhet e ditur se hapja për herë të parë e një paralele me mësim në gjuhën shqipe është realizuar duke respektuar të gjitha procedurat e duhura ligjore.

Ndryshe, ministri për arsim dhe shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, ka alarmuar që në dy shkolla pengohet zhvillimi i procesit edukativ e arsimor në gjuhën amtare.

“Dy raste aktuale të pengimit të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare në komunën Gazi Babë dhe Çashkë, ku grupe qytetarësh të inkurajuar nga qendrat e pushtetit politik protestojnë kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të mundësuar të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare për nxënësit e dy shkollave fillore”, raportoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Ndryshe, nxënësit e shkollës “Njegosh” në Idrizovë, në fund të muajit nëntor kanë filluar me mësim në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair.