Çashkë, vazhdojnë protestat për pengimin e paraleles shqipe, autoritetet prej javësh nuk gjejnë zgjidhje

Javëve të fundit është riaktualizuar çështja e protestave në Çashkë për pengimin e hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Todor Janev”. Prej 24 nëntorit, po organizohen protesta të herëpashershme. Edhe dje edhe sot, janë organizuar protesta duke penguar procesin edukativo-arsimor, me mos-lejimin e arsimtarëve dhe drejtoreshës që të hyjnë në shkollë. Nga ana tjetër, autoritetet, përkatësisht Ministria e Arsimit deri tani, nuk ka arritur të gjejë zgjidhje përfunditare, raporton Portalb.mk.

Të përfshirë në nxitjen e këtyre protestave janë edhe pjestarë të partisë politike VMRO. Më 24 nëntor deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski, nxiti protesta kundër hapjes së paraleles shqipe në Komunën e Çashkës.

Pavarësisht se mësimin në shkollën e Çashkës e ndjekin rreth 80 nxënës shqiptarë, sipas VMRO-së bëhet fjalë për vendbanim të pastër maqedonas ku nuk ka banorë të bashkësive të tjera etnike.

Në ato vende ku ka banorë të bashkësive të tjera etnike sipas kësaj partie, zhvillohet mësim në gjuhën e tyre amtare.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri dje theksoi se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha palët e prekura.

“Në këtë moment do doja të dërgoj një porosi, ajo është se nuk mundemi të flasim për integrim ndëretnik në arsimin fillorë dhe të mesëm, sepse akoma kemi raste të caktuara si në Çashkë dhe Gazi Babë ku palë e caktuar nuk u lejon nxënësve të mësojnë në gjuhën e tyre amtare”, tha Shaqiri.

Në shkollën fillore “Todor Janev” mësojnë mbi 70 nxënës shqiptarë, të cilët ishin të detyruar që mësimin ta ndjekin në gjuhën maqedonase, raporton TV 21.

Deri tani, mësimi në gjuhën shqipe vazhdon të zhvillohet vetëm në Shkollën Fillore “Liria” në Katund të Epërm, dhe në paralelet e ndara në Katund të Poshtëm dhe Vranoc të Epërm.

Në vendbanimet tjera përkundër kërkesave të shumta nga prindër shqiptarë, mësimi në gjuhën shqipe nuk është mundësuar.

Deri në fund të vitit shkollor 2019/2020 paralelja në gjuhën shqipe nuk u hap.

Deri më tani, sa i përket arsimit të mesëm, në Komunën e Çashkës nuk ekzistonte asnjë shkollë e mesme. Arsimi i mesëm më i afërt mund të vijohet qytetin e Velesit, ku që nga viti shkollor 2008/2009 organizohet edhe mësimi në gjuhën shqipe.

Çashka është një vendbanim në pjesën qendrore të Maqedonisë së Veriut dhe qendër e Komunës së Çashkës.

Në Komunën e Çashkës gjatë vitit 2018/2019, mësimin fillor e kanë vijuar 1,104 nxënës, prej të cilëve 773 ishin shqiptarë, 238 maqedonas, 85 turq dhe 8 të tjerë. Në Shkollën Fillore “Todor Janev” të Çashkës mësonin mbi 120 nxënës, prej të cilëve 41 nxënës shqiptarë nga fshatrat Banjicë, Hotishtinë, Ellovec, Busillcë, Starigrad, Novosellë dhe Vranoc i Poshtëm. Këta nxënës shqiptarë janë detyruar që mësimin ta vijojnë në gjuhën maqedonase.

Sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 2002 në Komunën e Çashkës jetonin 7.673 banorë. Prej tyre maqedonas u deklaruan 4.395, shqiptarë 2.703, turq 391, të tjerë 184, njofton Flaka.

Por, bazuar në lëvizjet e popullsisë gjatë viteve 2002-2019 sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Maqedonisë së Veriut, në fund të vitit 2019 Komuna e Çashkës kishte 8,227 banorë, kurse struktura etnike e popullsisë ishte si vijon: Shqiptarë 48.1% Maqedonas 44.2% Turqë 5.2% dhe të tjerë 2.5%. Në zgjedhjet e fundit lokale, kandidati shqiptar nuk arriti të fiton për shumë pak vota.

Vendbanimi më i madh në Komunën e Çashkës është Katundi i Epërm (Jabollçishti i Epërm) që vlerësohet se në vitin 2020 kishte mbi 2 mijë banorë. Si pasojë e politikave të kaluara diskriminuese, vendbanimet më të mëdha të banuara me shqiptarë në Komunën e Çashkës ka qenë të lënë në mëshirën e fatit dhe pa investime nga ana e shtetit.