Në Maqedoninë e Veriut në dy vende nuk lejohet mësimi në gjuhën amtare, alarmoi ministri Shaqiri

Ministri për arsim dhe shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, ka alarmuar që në dy shkolla pengohet zhvillimi i procesit edukativ e arsimor në gjuhën amtare, transmeton Portalb.mk.

“Dy raste aktuale të pengimit të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare në komunën Gazi Babë dhe Çashkë, ku grupe qytetarësh të inkurajuar nga qendrat e pushtetit politik protestojnë kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të mundësuar të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare për nxënësit e dy shkollave fillore”, raportoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Shaqiri vlerësoi që çdo fëmijë meriton të edukohen në gjuhën që e di më mirë.

“Në komunën e Gazi Babës po u pengohet e drejta e nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën për të vijuar mësimin në gjuhën shqipe në SHF “Njegosh” që gjendet në vendbanimin e tyre”, duke shtuar që “në komunën e Çashkës ka reagim për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe për nxënësit e klasës së parë në SHF “Todor Janev”, të cilët po ashtu jetojnë në afërsi të shkollës”.

Ndryshe, nxënësit e shkollës “Njegosh” në Idrizovë, në fund të muajit nëntor kanë filluar me mësim në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair.