Nxënësit e Idrizovës nesër nisin mësimin në Çair

Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për herë të parë është dorëzuar kërkesë nga Komuna e Gazi Babës për hapjen e paraleles shqipe për klasën e gjashtë në shkollën fillore “Njegosh” të kësaj komune, raporton Alsat. Kështu njoftoi ministri i Arsimit Jeton Shaqiri duke shtuar se çdo komunikim i realizuar me institucionet përkatëse do të dokumentohet dhe do t’ju dorëzohet edhe institucioneve ndërkombëtare në rast se pas kësaj kërkese Komuna Gazi Babë refuzon hapjen e paraleles shqipe për 13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës.

“Ne do të kthejmë përgjigje pozitive por nuk e di si do të jenë fazat më tutje në procesin e komunikimit. Pas këtyre komunikimeve dhe shkresave pres që komuna në gjysmëvjetorin e dytë bashkë me udhëheqësin e shkollës të mos e shfrytëzoj këtë për situatë të inateve ose bindjeve të dikujt për arsye sepse ashtu siç bëhen urimet ashtu të bëhen edhe pranimet e një fakti që e drejta e gjithë secilit është për të mësuar në gjuhën e tij amtar,” tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit

Nxënësit e Idrizovës që akoma nuk kanë nisur klasën e gjashtë për shkak të mungesës së paraleles shqipe në shkollën “Njegosh” në Komunën Gazi Babë po përmbyllin përgatitjet e fundit për të nisur mësimin në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair. Nga shkolla thanë se fëmijët e Idrizovës zyrtarisht me mësim do të nisin të premten Javën që shkoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri mori vendim që nxënësit e Idrizovës të mësojnë përkohësisht në Çair deri në hapjen e paraleles shqipe në Njegosh, që sipas Shaqirit pritet të ndodhë në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2023-2024. Për rastin e Idrizovës tashmë disa herë ka reaguar Avokati i Popullit duke kujtuar institucionet përgjegjëse se arsimimi në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar me Kushtetutë.