Tërheqja nga traktatet ose marrëveshjet ndërkombëtare

Ndërsa ngritja e partive politike të krahut të djathtë në Evropën Perëndimore dhe në Ballkan ka marrë një drejtim tjetër dhe zërat për ekzistencën e marrëveshjeve apo traktateve po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, është gjithmonë një gjë e mirë t’i hedhim një vështrim aspekteve teorike të traktateve, rëndësisë së tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në çështjet e brendshme të shteteve. Rregullimi i së drejtës së traktateve është pjesë përbërëse e rendit juridik ndërkombëtar. Pa një rregullim të qartë dhe të kodifikuar, shtetet si zakonisht kanë tendenca që të largohen prej detyrimeve dhe përgjegjësive që i marrin gjatë zotimit apo nënshkrimit të traktateve ndërkombëtare.

Nga Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e vogla, në njëqind vitet e fundit, ka pasur përpjekje për të nënshkruar traktate paqeje e të mirëkuptimit, mirëpo shpeshherë kanë përfunduar në zyrat diplomatike dhe në dhomat e parlamenteve. Më vonë ka ndodhur të tërhiqen për arsye të mospajtimeve të brendshme politike ose për shkaqe të tjera.

Për lexuesit tanë duket rinënvizuar se “në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet hyjnë në traktate me shtetet tjera për të vendosur rregulla dhe marrëveshje që nxisin bashkëpunimin dhe adresojnë shqetësimet e përbashkëta”. Në marrëdhëniet ndërkombëtare apo thjesht në politikën ndërkombëtare para dhe pas LPB-së, dhe pas LDB-së janë krijuar mekanizma për t’i bërë pjesë të kodifikimit të gjitha traktatet në një grup të veçantë si p.sh. “Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve”, ndryshe e njohur me shkurtesën (VCLT), e miratuar në Vjenë në vitin 1969, dhe e cila hyri në fuqi më 27 janar të vitit 1980. E bazuar në të drejtën zakonore ndërkombëtare, (VCLT)-ja sot shërben si instrumenti kryesorë i rregullimit të traktateve në mes shteteve. (VCLT)-ja ka gjithsej 86 nene dhe është e ndarë në tetë pjesë. (VCLT)-në, Maqedonia e Veriut (MV) e ka nënshkruar më 8 qershor 1999.

Në vitin 1996, Shkupi zyrtarë e nënshkroi “Konventën e Vjenës për Trashëgiminë e Shteteve në Lidhje me Traktatet”. “Konventa e Vjenës për Trashëgiminë e Shteteve në Lidhje me Traktatet”, ka katër pjesë që kodifikojnë të drejtën zakonore ekzistuese: Pjesa e parë, bën përcaktimin e kushteve dhe qëllimin e marrëveshjes; Pjesa e dytë, përcakton rregullat për lidhjen dhe miratimin e traktateve, duke përfshirë pëlqimin e palëve për të lidhur një traktat; Pjesa e tretë, kryesisht merret me zbatimin dhe interpretimin e traktateve; Pjesa e katërt, diskuton mënyrat e modifikimit ose ndryshimit të traktateve.

Në kontekst të debateve të viteve të fundit rreth marrëveshjeve ndërkombëtare, e në veçanti pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës në mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, nga parti të ndryshme politike në MV, ka pasur përpjekje që opinionit t’i imponohet një gjendje se një qeveri tjetër do të mund lehtë të tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare apo traktatet. Gjithsesi se është e mundur që një shtet të tërhiqet, mirëpo një vendim i tillë vlerësohet si ikje nga zotimet ndërkombëtare me veprime kundër së drejtës ndërkombëtare.

Nga historia ndërkombëtare kemi raste që shtetet anëtare të ish- Lidhjes së Kombeve më vonë e quajtur si OKB të mos jenë nënshkruese të konventave ndërkombëtare përshkaqe të obligimeve që duhet t’i marrin. Si në pjesën demokratike dhe jo demokratike të shteteve, kemi qeveri që nuk janë pjesë e (VCLT)-së dhe të shumë konventave të tjera. Ashtu siç përmendëm më lartë, disa shtete të botës demokratike nuk e kanë ratifikuar (VCLT)-në. Shembull konkret është SHBA-ja e cila e ka nënshkruar (VCLT)-në më 24 prill të vitit 1970, ndërsa Senati amerikan nuk e ka ratifikuar. Në këtë grup bëjnë pjesë Norvegjia, Franca dhe shtete tjera si Indonezia, India, Afrika e Jugut që kanë refuzuar e kanë vëretje, ndërsa disa qeveri nuk e kanë nënshkruar aspak (VCLT)-në.

Ende nuk është e qartë se pse qeveritë e kanë nënshkruar Konventën e Vjenës, por nuk e kanë miratuar senatet dhe parlamentet e tyre. Mund të jenë në pyetje interesat shtetërore kur flitet rreth traktateve dhe rolit të tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Së fundimi, Rusia u tërhoq nga një traktat i nënshkruar me SHBA-të që kishte të bënte me kufizimin e armëve bërthamore në Evropë. Po ashtu Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar disa marrëveshje me karakter ndërkombëtar, por nuk janë zbatuar nga pala serbe. Andaj nuk jemi shumë të sigurt nëse një traktat apo një marrëveshje do të mund të sigurojë një rend afatgjatë në mes shteteve. Por duhet pranuar se marrëveshjet ndërkombëtare dhe traktatet janë pjesë e politikës dhe rendit juridik ndërkombëtar.

Të gjitha traktatet e nënshkruara mund të gjenden në “Koleksionin e Traktateve të OKB-së”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.