“Sinohydro” mori edhe një mundësi për të përfunduar ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër

Përderisa Qeveria pretendon se aneksi do t’i referohet vetëm zgjatjes së afatit, duke shfrytëzuar mjetet financiare tashmë të siguruara, vlera e të cilave është rritur nga 400 në 600 milionë euro në vitet e kaluara, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për Kanal 5 thonë se për momentin nuk mund të thuhet nëse ndërtimi i seksionit prej 57 kilometrash, të cilit nuk i shihet fundi, do të përfundojë me 600 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Çfarë do të përmbajë aneksi dhe afati për përfundimin e autostradës nuk mund të thuhet ende sepse negociatat janë duke vijuar. Për momentin, nuk mund të themi nëse do të ketë apo jo ndryshim në parashikimet e kostos së ndërtimit”, thonë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Sipas informacioneve të Kanal 5, në një pjesë të analizës së përgatitur nga ekspertët për autostradën, propozohet zgjatja e afatit, nëpërmjet një marrëveshjeje të ashtuquajtur miqësore, pra as Sinohydro dhe as shteti nuk mund të pretendojnë dëmshpërblim.

Niveli i lartë i punimeve të kryera fizikisht, realizimi financiar i projektit, niveli i çështjeve të hapura të zgjidhura dhe burimet financiare të siguruara me kredinë shtesë, ishin vendimtare që ekspertët të japin mendimin për përfundimin e një aneksi të ri.

“Ne sugjerojmë që t’i qaseni një zgjidhjeje miqësore, pra të vazhdoni punimet me një afat të pranueshëm për të dyja palët, duke marrë parasysh afatin e propozuar për përfundimin e punimeve nga kontraktori dhe kohën e nevojshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura nga investitori pa pretendime dëmshpërblimi nga kontraktori dhe pa llogaritjen e dëmeve për shkak të vonesës së punimeve të ndërtimit nga investitori”, thuhet në Analizën për autostradën Kërçovë – Ohër.

Ndërtimi i autostradës ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë, janë nënshkruar 5 aneks kontrata dhe me disa prej tyre është rritur edhe çmimi.