Për të hyrë në garazhin e Poliklinikës Bit Pazar duhet “marrë leje” nga uzurpatorët, Ministria e Shëndetësisë “ngre supet”

Derisa institucionet nuk reagojnë, personat privat vazhdojnë të mbledhin para në mënyrë të paligjshme nga qytetarët në parkingun ilegal mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”. Ministria e Shëndetësisë nuk tregon nëse do të marrë masa kundër personave përgjegjës të Poliklinikës se pse nuk kanë reaguar derisa është uzurpuar hapësira mbrapa objektit të tyre, të cilën ky institucion e ka shfrytëzuar për nevojat e saja. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, toka është në pronësi shtetërore dhe jo të Poliklinikës, por pikërisht kjo ministri para tre vitesh në këtë hapësirë ka promovuar vetura për nevojat e Spitalit. Për të hyrë në garazhet e poliklinikës duhet të kalohet nëpërmjet rampës që e kanë vendosur uzurpatorët, shkruan Portalb.mk.

“Nga Shtëpia e Shëndetit Shkup informojnë se kjo hapësirë për të cilën ka të bëjë pyetja juaj nuk është në pronësi të Shtëpisë së Shëndetit Shkup, as Ministria e Shëndetësisë nuk menaxhon me hapësirën”, thonë për Portalb.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

Parcela e uzurpuar me numër kadastral 7564, përfshin tokën përreth Poliklinikës Bit Pazar.

Siç kemi shkruar paraprakisht, pjesa e prapme përreth Poliklinikës është e uzurpuar. Nga ana tjetër, pjesa e përparme, në maj të këtij viti ishte në shënjestër të dy personave, të cilët me ekskavator tentuan ta uzurpojnë, por nga presioni mediatik, shteti intervenoi dhe e parandaloi qëllimin e tyre.

Siç mund të shihet në foton e mëposhtme, pjesa e uzurpuar dhe pjesa që kanë tentuar ta uzurpojnë është pjesë e një parcele kadastrale. Megjithatë, shteti ka reaguar kur është uzurpuar para objektit të Poliklinikës, por nuk ka reaguar kur është uzurpuar mbrapa objektit.

Foto nga sistemi i Kadastrës, Poliklinika "Bit Pazar" dhe hapësira përreth
Foto nga sistemi i Kadastrës, Poliklinika “Bit Pazar” dhe hapësira përreth

Në një publikim të Ministrisë së Shëndetësisë mund të shihet se në shkurt të vitit 2020, ministri i Shëndetësisë, asokohe, Venko Filipçe, bashkë me drejtorët e Shtëpisë së Shëndetit Shkup (nën kompetencën e të cilës është Poliklinika Bit Pazar), Viktor Isjanovski dhe asokohe, Besim Koka, në shkurt të vitit 2020, kanë marrë pjesë në provimin e 13 automjeteve për njësinë për mjekim shtëpiak.

Automjetet janë parkuar në hapësirën që uzurpatorët edhe atëherë, por edhe sot e përdorin për t’i rrjepur qytetarët.

Ngjarja ka ndodhur më 20 janar, në ditë pune (e hënë), kur dhe është orar pune për uzurpatorët. Por, siç mund të shihet në fotot e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe kronikat në media, atë ditë, uzurpatorët nuk kanë punuar derisa Ministria e Shëndetësisë dhe funksionarët shtetëror kanë qenë duke i treguar veturat para mediave.

Automjetet e promovuara nga Ministria e Shëndetësisë mbrapa objektit të Poliklinikës
Automjetet e promovuara nga Ministria e Shëndetësisë mbrapa objektit të Poliklinikës

Automjetet janë ekspozuar para mediave, në hapësirën mbrapa objektit të Poliklinikës, në vendin ku dhe personat privat e përdorin për parking.

Paraprakisht, automjetet kanë qenë të parkuara në garazhin e Poliklinikës. VMRO-DPMNE publikoi disa fotografi të automjeteve.

Automjetet e parkuara në garazh. Foto nga VMRO-DPMNE
Automjetet e parkuara në garazh. Foto nga VMRO-DPMNE

Për të hyrë në garazhet e Poliklinikës, duhet të kalohet rampa e uzurpatorëve.

Kjo mund të shihet edhe nga arkivi i “Google Street”, ku sipas pamjeve të vitit 2015-të, shihet se garazhet për veturat e Poliklinikës kanë qenë të hapura, derisa uzurpatorët e kanë pasur të vendosur rampën dhe kanë ushtruar veprimtarinë e tyre.

Foto e vitit 2015-të nga "Google Street"
Foto e vitit 2015-të nga “Google Street”

Sipas verifikimeve të Portalb.mk, sot, këto garazhe janë të mbyllura dhe nuk funksionojnë.

Nëse i shohim pamjet satelitore të “Google Earth”, saktë mund të shihet se një pjesë e parkingut mbrapa Poliklinikës ka funksionuar prej vitit 2003, ndërkaq një pjesë tjetër është hapur për përdorim në vitin 2007-të. Këtu mund të shihet se edhe përballë këtij parkingut, ka filluar të zëvendësohet hapësira e gjelbër me hapësirë për parkim.

Për më shumë shiheni foto-animacionin e mëposhtëm ku tregohet gjendja me këtë hapësirë ndër vite:

Foto nga "Google Earth" në lidhje me ndryshimin e gjendjes në parkingun e mbrapa Poliklinikës "Bit Pazar"
Foto nga “Google Earth” në lidhje me ndryshimin e gjendjes në parkingun e mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”

Më 22 qershor, pas publikimit të hulumtimit të Portalbit në lidhje me uzurpimin e hapësirave shtetërore mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, Prokuroria ka formuar lëndë dhe po ndërmerr masa për konstatimin e gjendjes.

Formimi i lëndës, vjen pasi që nga Prokuroria paralajmëruan se do të veprojnë, nëse institucionet tjera kompetente nuk veprojnë.

Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat

Pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.

 intervistë për Portalb.mk, Visar Ganiu e hodhi përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtojnë kah Komuna e Çairit.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Policia, për Portalb.mk konfirmuan se deri më tani askush nuk ka lajmëruar deri tek ata se dikush e ka uzurpuar këtë hapësirë.

Portalb.mk paraprakisht bisedoi me ekspertë të fushë në lidhje me kompetencat për të vepruar ndaj uzurpatorëve.

“Spitali menaxhon me hapësirën, gjegjësisht oborrin për shkak qasjes më të lehtë dhe ajo quhet shfrytëzim publik. Por, teknikisht, ajo pronë udhëhiqet në emër e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me atë pronë, në nivel të komunës – operon komuna dhe komuna ka të drejtë të hyjë. Por, edhe nëse është tokë e spitalit apo private, komuna patjetër që ka mundësi të hyjë me Inspektorat Ndërtimor dhe të konstatojë, dhe më pas të dorëzojë dhe të dorëzojë paraqitje për ndërtim pa leje, pavarësisht se është pronë private. Për atë janë Inspektoratet, jo për atë nëse ndonjë pronë është private ose jo – ata nuk e kontrollojnë vetëm pronën rreth komunës, përëkundrazi për të gjithë pronën në territor të komunës”, thonë ekspertët që i konsultoi Portalb.mk.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat