Spitalet publike në RMV nën kritikat e pacientëve: Papastërti dhe kushte të papërshtatshme (Video)
Përveç problemeve shëndetësore, pacientët në spitalet publike të Maqedonisë së Veriut përballen edhe me kushte të papërshtatshme gjatë trajtimit. Papastërtia, aromat e pakëndshme dhe organizimi i dobët i shërbimeve janë disa nga shqetësimet që ata ngrenë për Portalb.mk, ndërsa Ministria e Shëndetësisë heshti kur u pyet për këto shqetësime të qytetarëve.
Pacientët ankohen se kushtet brenda spitaleve nuk janë në nivelin që duhet të ofrojnë institucionet publike shëndetësore. Sipas tyre, mungesa e pastërtisë dhe ambientet e papërshtatshme ua vështirësojnë edhe më shumë qëndrimin apo vizitat në spital.
“Pastërtia nuk është në nivelin e duhur”, tha një pacient për Portalbin.
Ankesat nuk kufizohen vetëm te higjiena. Pacientë të tjerë flasin edhe për aromat e pakëndshme dhe atmosferën brenda hapsirave spitalore, ku përveç pritjes për shërbime duhet të përballen edhe me kushte që nuk i konsiderojnë të përshtatshme.
“Kemi lloj-lloj njerëzish të sëmurë, nuk është atmosfera në nivelin e duhur, por duhet të presim”, u shpreh një pacient.
Përveç kushteve fizike, ankesa ka edhe për mënyrën e organizimit të shërbimeve shëndetësore. Një pacient tjetër, ndonëse vlerëson profesionalizmin e personelit mjekësor, thekson se mungesa e organizimit të duhur krijon pengesa në funksionimin e sistemit.
“Kushtet e brendshme, sinqerisht, nuk i kam parë për një kohë të gjatë. Personelin mund ta konstatoj se është i orientuar në mënyrë profesionale. Pjesa më e madhe e njerëzve që paguajmë sigurim shëndetësor jemi edhe shfrytëzues të shërbimeve spitalore, por mosorganizimi i mirëfilltë shkakton një ngërç”, tha një pacient tjetër.
Portalb.mk kërkoi përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me higjienën, mirëmbajtjen e hapësirave spitalore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, por deri në publikimin e këtij teksti nga Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën.
Problemet në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut janë evidentuar edhe nga Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit për vitin 2026 i cili u publikua javën e kaluar.
- LEXO: KE: Qytetarët paguajnë deri në 42 përqind të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre, rritet numri i të sëmurëve nga kanceri
- LEXO: Në kërkim të një vendparkimi, pacientët humbin terminin te mjeku në Klinikën “Nënë Tereza” (VIDEO)
- LEXO: Pacientët kërkojnë parking, autoritetet shqyrtojnë oferta: Kaosi te Klinika “Nënë Tereza” vazhdon (Video)