Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat

Mbrapa objektit të Poliklinikës së Bit Pazarit, qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit. Me vite, Komuna e Çairit dhe inspektorët komunal, para syve të të gjithëve, lejojnë dhe nuk reagojnë që të çlirohet vendi i uzurpuar. Gjitha autoritetet të cilët duhet ta mbrojnë interesin shtetëror dhe qytetar, nuk reagojnë, shkruan Portalb.mk

Pasditen e 13 majit, në Shkup u arrestuan N.K. (44) dhe Sh.D. (42) për “Uzurpim” dhe “Ndërtim pa leje”, pasi rreth orës 19.00 të asaj dite, e kanë shembur me ekskavator rrethojën e poliklinikës “Bit Pazar” në Shkup dhe kanë filluar punimet ndërtimore në oborr për të ndërtuar parking.

Sipas asaj qe mund të shihet në terren, personat në fjalë kanë tentuar që ta uzurpojnë parkun në pjesën e përparme të klinikës, por fatmirësisht institucionet kanë reaguar dhe është parandaluar. Sot, tamponi ende është i grumbulluar mbi park, ndërkaq dy personat ndodhen në procedurë gjyqësore, të cilët, sipas Kodit Penal, rrezikojnë të dënohen me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Komuna e Çairit e mban përgjegjësinë, por nuk vepron

Tentimi i lartpërmendur për uzurpim “në pikë të ditës” e “në mes të qytetit”, nuk është rast i izoluar. Vetëm disa metra larg vendit i cili ishte në shënjestër të uzurpuesve, Portalb.mk ka kapur në fotografi, parkingjet që me vite të tëra po shfrytëzohet mënyrë të paligjshme nga persona privat, të cilët kanë vendosur rampa, kabina për pagesë dhe shenja sinjalizuese “P”, për të treguar se këtu ka parking.

50 denarë një orë, 100 denarë tërë ditën, është çmimi i tarifës, për të parkuar veturën, ndërkaq sipas verifikimeve tona, për të njëjtën nuk jepet kupon fiskal. Këto parkingje të improvizuara janë vendosur në tokën e Spitalit dhe për këtë Spitali nuk ka dhënë kurrfarë leje, por as Komuna, në territorin e të cilës ndodhen.

Kjo është e njëjtë, sikur brenda Qendrës Klinike “Nënë Tereza” – Shkup, dikush të vendosë rampë, kabinë për pagesë dhe të mbledhë para nga qytetarët.

Sipas verifikimeve të Portalb.mk nga sistemi elektronik i Kadastrës, parcelat në fjalë apo me numër 7564 dhe 7561/3, janë në pronësi të “Republikës së Maqedonisë së Veriut” – pra të shtetit dhe ndodhen në hapësirën e Komunës së Çairit, andaj komuna në këtë rast e ka kompetencën për të reaguar. Duke u bazuar në procesin e decentralizimit, me të cilin komunave u janë dhënë kompetencat për menaxhim të tokave shtetërore, në këtë rast i takon Komunës së Çairit dhe Inspektorati Komunal të veprojë për të njëjtën.

Se kompetencat i ka Komuna e Çairit e verifikon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL).

“Të gjitha veprimet e palejueshme që udhëhiqen në tokë që është RM [në pronësi të shtetit] ose në tokë që ka pronësi private, dhe nuk ka miratim për ndërtim, përfshirë edhe parkingje dhe gjithçka tjetër, kompetent janë shërbimet inspektuese të komunës. Në këtë rast, nëse bëhet fjalë për territorin e Komunës së Çairit duhet të veprojnë shërbimet inspektuese të Komunës së Çairit, të dalin të konstatojnë nëse ka ndonjë aktivitet atje, dhe nëse ka, të dorëzojnë paraqitje kundër kryerësit të saj dhe më tej kyçen shërbimet e MPB-së, pasi që kjo është vepër penale”, shpjegoi për Portalb.mk Orce Gjorgievski, kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetar i Komunës së Kisella Vodës.

Me fjalë të thjeshta, thotë Gjorgievski, përballë [objektit të] Komunës së Kisella Vodës kam tokë shtetërore, nëse kushdo qoftë hyn që të bëjë aktivitete ndërtimore, të çfarëdo lloji, unë jam kompetent që të reagoj pasi që është në territorin tim, përveç nëse nuk bëhet fjalë për pozitë si bulevard apo pjesës rreth bulevardit ku duhet që të veprojnë shërbimet e Qytetit të Shkupit.

Edhe ekzekutivi thekson se me procesin e decentralizimit kompetencat i takojnë Komunës së Çairit dhe Inspektorati Komunal duhet të veprojë për të njëjtën.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Por, pavarësisht se janë kompetent, nga Komuna e Çairit e hedhin përgjegjësinë te Spitali dhe Qeveria, duke mos treguar se kompetencat u kanë kaluar tyre.

“Parcela kadastrale 7564 është parcelë ndërtimore në kuadër të Poliklinikës së Bit Pazarit. Menaxhimi dhe veprimtaria me të njëjtën i takon subjektit të lartpërmendur. Parcela kadastrale 7561/3 është në pronësi shtetërore. Në bazë të Ligjit për Toka Ndërtimore, neni 13 i këtij ligji parasheh që me tokat ndërtimore në pronësi të shtetit, në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut menaxhon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sa i përket dhënies së llogarive fiskale, kompetenca për veprim i takon Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike”, thonë nga Komuna e Çairit për Portalb.mk.

Objektet e Komunës së Çairit dhe Qeverisë, foto: Portalb.mk
Objektet e Komunës së Çairit dhe Qeverisë, foto: Portalb.mk

 

Sipas verifikimeve në sistemin elektronik të Agjencisë së Kadastrës, toka përreth spitalit, gjegjësisht parcela 7564, nuk është “tokë ndërtimore”, ashtu siç thonë nga Komuna e Çairit, por është “tokë tjetër jopjellore, djerrë”. Në këtë parcelë ndodhen dy parkingjet, ndërkaq parcela 7561/3 është tokë ndërtimore.

Të gjithë sillen sikur “kanë rënë prej Marsi”

Qëndrim të njëjtë kanë edhe nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm. Ata thonë se nuk janë kompetent për problematikën konkrete dhe hedhin përgjegjësinë te Qyteti i Shkupit.

“Inspektorati për Taksa Komunale dhe të tjera nga Qyteti i Shkupit kryen mbikëqyrje inspektues për atë nëse obliguesit tatimorë (personat fizik dhe juridik) i paguajnë në kohë ose në tërësi obligimet ndaj Qytetit të Shkupit për shfrytëzimin e hapësirës për parkim të automjeteve motorike transportuese. Inspektorati për Rrugë i Qytetit të Shkupit në pajtueshmëri me Ligjin për Rrugë Publike në lidhje me nenin 69 paragrafi 1 pika 9 është i autorizuar të ndalojnë përdorimin e parkingjeve nëse janë ndërtuar pa miratim ose në kundërshtim me miratimin e lëshuar”, thonë për Portalb.mk nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm.

Por, pavarësisht vlerësimeve të Inspektoratit, Qyteti i Shkupit, “ngre duart” nga përgjegjësia. Prej Kabinetit të kryetares që udhëheqë me Shkupin, Danella Arsovska, shkurt na thanë “s’kemi çfarë të përgjigjemi, nuk është nën kompetencën tonë”.

Danella Arsovska, foto Qyteti i Shkupit
Danella Arsovska, foto nga Qyteti i Shkupit

 

“Nuk jemi kompetent”, thonë për Portalb.mk edhe nga Shtëpia e Shëndetit Publik Shkup, nën kompetencën e të cilës bie dhe Poliklinika “Bit Pazar”. Ata nuk ndihet përgjegjëse që hapësirën e tyre e kanë uzurpuar me vite persona të panjohur dhe për këtë s’kanë alarmuar askund.

“Ju informojmë se rampa nuk është vendosur nga ana e ISHP Shtëpia e Shëndetit Shkup. ISHP nuk i menaxhon parkingjet dhe të njëjtat nuk janë dhënë për shfrytëzim nga ana jonë. Për më shumë informata drejtohuni në shërbimet e Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit”, thanë nga Shtëpia e Shëndetit Shkup, duke mos u përgjigjur se çfarë kanë ndërmarrë ata, duke e pasur parasysh se parkingjet ndodhen në hapësirën e Poliklinikës.

Poliklinika "Bit Pazar" - Shkup, foto: Portalb.mk
Poliklinika “Bit Pazar” – Shkup, foto: Portalb.mk

 

përshkrimin e kompetencave të Avokaturës së Shtetit, thuhet se “Avokatura Shtetërore është një organ shtetëror që ndërmerr masat dhe mjetet për mbrojtje ligjore të të drejtave pronësore dhe interesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, që në këtë rast do të duhej t’i mbrojë interesat e shtetit karshi uzurpuesve, por në pyetjen e Portalb.mk nëse Avokatura e Shtetit ka ndërmarrë masa për t’i mbrojtur këto prona, ata na udhëzojnë që të pyesim “institucion tjetër kompetent”.

“Në lidhje me shkresën tuaj të dorëzuar tek Avokati i Shtetit të Maqedonisë së Veriut, njoftojmë se nuk kemi mundësi të përgjigjemi, dhe të njëjtën duhet ta dërgoni në institucion tjetër kompetent”, thonë nga Avokatura Shtetërore për Portalb.mk.

Se nuk kanë qenë të interesuar institucionet që të vendosin rend në këto parcela, dëshmon edhe përgjigja e Policisë, ku siç thonë, askush deri tek ata nuk ka njoftuar se këto parcela dikush i ka uzurpuar dhe po u merr para qytetarëve në mënyrë të paligjshme.

Policia e RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Policia e RMV-së, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

“Ju njoftojmë se në Njësinë për Punë të Brendshme Qendër dhe Bit Pazar në SPB Shkup nuk ka paraqitje nga ndonjë qytetar ose institucion për kryerje të uzurpimit të tokës në parcelat në fjalë dhe se në të njëjtat paguhet parking. Në lidhje me pronësinë e parcelave dhe lejet për punë për parking, ashtu sikur moslëshimin e kuponëve fiskal duhet të drejtoheni te Komuna e Çairit dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, në pajtueshmëri me kompetencat e tyre”, thonë nga MPB.

Inspektorët e Drejtorisë për të Ardhura Publike bashkë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Ministrinë e Punëve të Brendshmevitin 2022, kanë kryer kontroll të sistemit fiskal të pajisjeve te obliguesit tatimor të cilët kryejnë veprimtari të organizimit dhe mirëmbajtjes së parkingjeve në territorin e Qytetit të Shkupit. Gjatë këtyre kontrolleve janë përfshirë edhe lokacionet e përmendura. Por, nuk tregojnë konkretisht nëse dhe çfarë gjoba kanë shqiptuar te këto lokacione që shfrytëzohen si parkingje.

Ata thonë se kanë evidentuar shkelje të Ligjit për Regjistrim të Pagesave të Gatshme (LRPG) për mosdhënie të kuponit fiskal për kryerjen e qarkullimit të të mirave, gjegjësisht shërbimeve, por edhe shkelje për moslëshim të bllok-paragonit për kryerjen e qarkullimit të të mirave, gjegjësisht shërbimeve.

Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP), foto: Portalb.mk
Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP), foto: Portalb.mk

 

“Për shkeljet e konstatuara në pajtueshmëri me LRPG, nga ana e DAP janë shqiptuar gjoba për obliguesit tatimor dhe personat përgjegjës të të njëjtave. Gjatë kontrollit të dytë, njërit person juridik i është shqiptuar masë ndalesë së kryerjes së veprimtarisë në kohëzgjatje prej 15 ditëve. Gjatë vizitës në objektet tjera është konstatuar kryerje të veprimtarisë së paregjistruar, është vepruar nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas Ligjit për Ndalesë të Kryerjes së Veprimtarisë së Paregjistruar”, thonë nga DAP.

Përgjigje na premtoi edhe Goran Trajkovski, drejtori i Inspektoratit të Tregut, por pavarësisht premtimit, deri në publikimin e këtij teksti, nga ky inspektorat nuk na dërguan përgjigje.

Derisa, para Gjykatës ndodhen dy persona që tentuan të uzurpojnë hapësirën që ndodhet para Poliklinikës “Bit Pazar”, hapësira prapa Poliklinikës me vite është e uzurpuar.